Bluewaters Island dhe 9 prona luksoze, pasuria që del në dritë pas operacionit të SPAK
"Në mjedisin kriminal të Antwerpit njihet si 'Shqiptari i gjatë' ose 'Alduth'". Kështu e përshkruan media belge "Gazet van Antwerpen" Eldi Dizdarin, një nga emrat më të njohur të botës së krimit shqiptar, i cili është rikthyer në qendër të vëmendjes pas megaoperacionit të SPAK kundër një organizate që dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Bashkimit Europian.
Artikulli i medias belge nis me një episod që në pamje të parë dukej rutinë. Dy oficerë policie ndalojnë një automjet luksoz "Mercedes" që po lëvizte me shpejtësi në autostradën Antwerp-Eindhoven. Por, sipas gazetës, ata nuk e dinin se kishin ndaluar "një nga peshat e rënda të mafies shqiptare të drogës".
"Asnjë nuk e dinte se kishin ndaluar Eldi Dizdarin, një nga peshat e rënda të mafies shqiptare të drogës", shkruan media belge, duke shtuar se ai kërkohej nga autoritetet në Shqipëri, Itali, Holandë dhe Belgjikë.
Në shkrim thuhet se Dizdari, i njohur edhe me identitetin Denis Matoshi, prej vitesh është vendosur në Dubai, aty ku sipas autoriteteve dhe mediave ndërkombëtare janë zhvendosur një pjesë e figurave më të rëndësishme të krimit të organizuar shqiptar.
"Denis Matoshi është një nga krerët e krimit të organizuar shqiptar që është vendosur në Dubai. Ata pompojnë dhjetëra miliona, ndoshta nga trafiku i kokainës, në tregun lokal të pasurive të paluajtshme", citohet në artikull.
Sipas gazetës, ai rezulton i regjistruar në kompleksin luksoz Bluewaters Island Residences 2 në Dubai, ndërsa vëmendje i kushtohet edhe lidhjes së tij me ish-misin shqiptar Suada Sherifi.
"Ai është ose ka qenë i martuar, ende nuk është e qartë", shkruan media belge, duke shtuar se në emër të Sherifit figurojnë nëntë prona në Dubai me një vlerë totale blerjeje prej rreth 17.8 milionë euro.
Por përveç jetës luksoze në Emiratet e Bashkuara Arabe, Dizdari përmendet edhe në disa prej dosjeve më të rëndësishme kriminale në Belgjikë. Sipas artikullit, ai figuron në hetimet ndaj klanit asirian "Y." në Antwerp, ku ndiqet për korrupsion dhe përdorim dokumentesh të falsifikuara.
"Thuhet se Matoshi kishte një pasaportë false dhe një kartë identiteti false, të cilën ia kishte siguruar një nëpunës i korruptuar i qytetit të Antwerpit", shkruan më tej gazeta.
Media belge e lidh gjithashtu emrin e tij me organizatën "Bello", e përshkruar si një federatë prej 14 bandash shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës. Sipas raportimit, Dizdari dyshohet se ka organizuar dërgimin e mijëra kilogramëve kokainë drejt porteve të Antwerpit dhe Roterdamit, në bashkëpunim me figura të njohura të krimit në Belgjikë.
Pas prishjes së aleancave të mëparshme kriminale, ai dyshohet se krijoi lidhje të reja për të siguruar nxjerrjen e ngarkesave të kokainës nga portet europiane, duke ruajtur rolin e tij në rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës.
Emri i Dizdarit është një nga më të spikaturit në dosjen e SPAK, operacion që çoi në sekuestrimin e 491 pasurive me vlerë rreth 150 milionë euro. Mes tyre janë hotele, vila, apartamente, toka dhe kompani të shpërndara në disa qytete të Shqipërisë, duke përfshirë Tiranën, Durrësin, Dhërmiun, Sarandën dhe zonën e Gjirit të Lalzit.
Lini një Përgjigje