Babai i Elton Mermalit, i njohur edhe si "Kinezi", ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në procesin ndaj grupit të Laert Haxhiut. Mermali u vra në tetor të vitit 2021, ndërsa sipas Prokurorisë së Posaçme, ekzekutimi i tij u krye nga Artan Tafani me urdhër të Laert Haxhiut.
Gjatë dëshmisë së tij, Kujtim Mermali tregoi se nuk ka dijeni për motivet e vrasjes së të birit, por rrëfeu edhe marrëdhënien që familja kishte pasur dikur me Laert Haxhiun.
"Laert Haxhiun e njoh shumë mirë, sepse hante bukë në shtëpinë time. E kam strehuar kur e rrihte i ati. Nuk di të them nëse vrasja e djalit tim është kryer për motive hakmarrjeje për shkak të vrasjes së Artan Sulçes e Bledar Haxhiut në vitin 1997", dëshmoi ai.
Babai i viktimës tregoi se natën para ngjarjes djali kishte dalë nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më.
"Një natë para ngjarjes doli dhe nuk u kthye më në shtëpi. Më pas na njoftuan se kishin gjetur trupin e tij. Motivet nuk i dija fare. Unë nuk vë dot gishtin se kush e ka bërë, sepse nuk e di", u shpreh Kujtim Mermali.
Ai deklaroi se Elton Mermali kishte vuajtur dënimin me burg pas arrestimit në Itali dhe ekstradimit në Shqipëri për akuzën e vrasjes së Artan Sulçes, por mohoi të kishte dijeni për përfshirjen e të birit në ngjarjet kriminale të asaj kohe.
"Djali ka qenë i akuzuar bashkë me grupin e Aldo Bares. Në dijeninë time nuk ka qenë i përfshirë, sepse po të ishte, hakmarrja do të ishte bërë që atëherë", deklaroi ai.
Sipas dëshmisë, Elton Mermali doli nga burgu i Peqinit më 6 maj 2021, ndërsa u vra më 17 tetor të po atij viti.
"Kur doli nga burgu nuk ishte mirë. Nuk e mora vesh se kush i fuste lëndë narkotike në burg. Në shtëpi nuk përdorte drogë. Nuk më tha asnjëherë se kërcënohej nga dikush", tha babai i tij.
Kujtim Mermali shpjegoi gjithashtu se pseudonimi "Kinezi" i kishte mbetur që në fëmijëri për shkak të tipareve fizike dhe se pas daljes nga burgu ai kishte ndryshuar identitetin.
"Kur doli nga burgu shkoi në gjendjen civile dhe ndryshoi emrin. U bë Alban Semaku. Më kishte thënë se Artan Tafani do t'i gjente një punë kur të takoheshin", përfundoi dëshmitari.
Elton Mermali i njohur edhe me nofkën "Kinezi", është ish-anëtar i Bandës së Lushnjës. Ai ishte dënuar për vepra të rënda penale, ndërsa në vitin 2011 ndryshoi emrin dhe mbiemrin në Alban Semaku.
Mermali u ekstradua nga Italia në vitin 2006 për t'u përballur me drejtësinë shqiptare për një vrasje të kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Në vitin 2021 u gjet i vrarë pranë lumit Shkumbin në Peqin. Hetimet e mëvonshme e lidhën vrasjen e tij me grupin e Laert Haxhiut, bazuar edhe në dëshmitë e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani.
Lini një Përgjigje