Associated Press e ka renditur performancën e Alis me këngën “Nân” mes 10 performancave më të mira të Eurovision Song Contest 2026, duke e përfshirë artistin shqiptar në listën e emrave më të spikatur të finales së madhe të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Vjenë.
Në artikullin e publikuar pas finales, media amerikane e përshkruan performancën shqiptare si “kinematografike” dhe me ngarkesë të fortë emocionale, duke vlerësuar atmosferën dramatike që solli “Nân” në skenën e Eurovision-it. “Performanca dukej si kolona zanore e një skene emocionale filmi”, shkruan Associated Press.
Artikulli ndalet edhe te paraqitja skenike e Alis, i cili u shfaq me një kostum që ngjante me parzmore metalike me shkëlqim, ndërsa në ekran shfaqej një figurë femërore që simbolizonte nënën, e interpretuar nga aktorja Rajmonda Bulku.
Kënga shqiptare u rendit mes 10 performancave më të mira së bashku me artistë nga Italia, Finlanda, Australia, Belgjika dhe Rumania.
Sipas Associated Press, “Nân” u dallua për ndërthurjen e elementeve teatrale, korit dramatik dhe interpretimit emocional të Alis, duke u kthyer në një nga performancat më të veçanta të finales së Eurovision 2026.
10 performancat më të mira të finales sipas AP:
• Rumania: Alexandra Căpitănescu – “Choke Me”
• Italia: Sal Da Vinci – “Per Sempre Sì”
• Qipro: Antigoni – “Jalla”
• Finlanda: Linda Lampenius dhe Pete Parkkonen – “Liekinheitin”
• Moldavia: Satoshi – “Viva, Moldova!”
• Bullgaria: Dara – “Bangaranga”
• Serbia: Lavina – “Kraj Mene”
• Australia: Delta Goodrem – “Eclipse”
• Shqipëria: Alis – “Nân”
• Belgjika: Essyla – “Dancing on the Ice”
Lini një Përgjigje