Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë të ditur se ditën e hënë do të depozitojë në Prokurorinë e Posaçme një kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, lidhur me financimin me 4.2 milionë euro të koncertit të reperit amerikan Kanye West.
Bardhi ka kundërshtuar vendimin e qeverisë për përdorimin e fondit rezervë për këtë aktivitet, duke e cilësuar si shkelje ligjore. Sipas tij, kryeministri duhet të japë llogari për mënyrën se si janë përdorur fondet publike.
Në reagimin e tij, kreu i grupit parlamentar të PD-së ka rikthyer në vëmendje deklaratat e mëparshme të Edi Ramës, kur ky i fundit ishte në opozitë dhe kundërshtonte shpenzimet për disa aktivitete publike me vlerë 1 milion euro gjatë festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë.
Bardhi pretendon se ekziston një kontradiktë mes qëndrimeve të atëhershme të Ramës dhe vendimit aktual për akordimin e një fondi më të lartë për një koncert privat.
“Kur Edi Rama ishte në opozitë denonconte tre evente publike, të organizuara për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, me vlerë 1 milionë euro, duke i cilësuar si abuzim me ligjin dhe një opurtunitet korrupsioni. I njëjti Edi Rama, 14 vite më pas, miraton një fond 4.2 milionë euro për një koncert privat, pa asnjë procedurë, në shkelje flagrante të ligjit, me fondet që duhet të përdoren vetëm në rastet e fatkeqësive natyrore apo masave të jashtëzakonshme.
Me standardin që ka vendosur vetë ai, Edi Rama duhet të përgjigjet penalisht për abuzimin me 4.2 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë.
Prandaj, ditën e hënë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë kallëzim penal në Prokurorinë e Posacme (SPAK) kundër Edi Ramës dhe Blendi Gonxhja, të cilët duhet të japin llogari para ligjit dhe qytetarëve për abuzimin flagrant me paratë e shqiptarëve”, ka shkruar Bardhi.
Lini një Përgjigje