TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Korrik 2024, 19:20

8 vite nga miratimi i reformës në drejtësi, SHBA mesazh politikës: Jemi krah organeve të reja, të korruptuarit do të japin llogari!

Shkruar nga Pamfleti

8 vite nga miratimi i reformës në drejtësi, SHBA mesazh

Asnjë politikan nuk e kujtoi sot 8 vjetorin e reformës në drejtësi. E vetmja që u kujtua është ambasada e SHBA...

Sot shënohen 8 vite nga miratimi i reformës në drejtësi. Më 22 korrik të vitit 2016, 140 deputetë votuan pro ndryshimeve kushtetuese, pa e ditur se shumë prej tyre do të ishin subjekt i kësaj reforme.

Pati shumë nga ata që nuk e deshën dhe madje ka shumë të tillë edhe sot. Pati nga ata që punuan nën rrogoz për ta penguar. Pati dhe nga ata që tentuan të fusnin njerëzit e tyre në organet e reja. Disa ja dolën dhe disa jo, por asnjë palë nuk arriti të ndalë ngritjen e SPAK, që është qershia mbi tortë e drejtësisë së re.

Sot të gjithë janë kthyer në armiq të kësaj strukture, pasi ata që kanë futur duart në xhepat e shqiptarëve po japin llogari nga dita në ditë. Dhe ata që garantojnë paprekshmërinë e kësaj prokurorie janë padyshim amerikanët.

Asnjë politikan nuk e kujtoi sot 8 vjetorin e reformës në drejtësi. E vetmja që u kujtua është ambasada e SHBA, e cila ja ka bërë të qartë politikës se reforma nuk preket dhe se të korruptuarit do të japin llogari.  

Në këtë përvjetor të tetë të miratimit njëzëri të amendamenteve kushtetuese që i hapën rrugën reformës në drejtësi, ne përgëzojmë popullin shqiptar për mbështetjen e tij në zbatimin e saj të pakthyeshëm. Siç e kemi thënë gjatë gjithë kohës, reforma në drejtësi nuk do të ishte e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por ajo po jep rezultate dhe po e bën Shqipërinë një demokraci më të fortë. Ne jemi krenarë që kemi qëndruar me popullin e Shqipërisë në këtë përpjekje të vështirë dhe të guximshme. Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve të Shqipërisë, teksa ata vazhdojnë të bëjnë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe sjelljen e Shqipërisë më pranë bashkësisë euro-atlantike të kombeve”, shprehet ambasada.

Në 25 vite pluralizëm politik, reforma në drejtësi është cilësuar si më e rëndësishmja, ndërsa për Bashkimin Europian ishte kushti bazik për çeljen e negociatave.

Menjëherë pas miratimit të saj, "peshqit e mëdhenj" ishin në rrezen e ndërkombëtarëve. Paralajmërimin e parë e dha ambasadori i SHBA në atë periudhë, Donald Lu.  “Të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen e "peshqve të mëdhenj" në fillim të vitit të ardhshëm, dhe ky sukses të vijojë me SPAK dhe BKH. Dielli duket që në mëngjes”, shprehej ai.

Edhe sot e kësaj dite, të gjithë i kanë sytë te SPAK se kur do të arrestohen ata që kanë 30 vite në politikë.

Në 8 vite pati shumë zhvillime. Që nga tentativat e Metës për të kapur Kushtetuesen, te tentativat e Ramës për të vënë në krye të SPAK besnikun e tij. Por amerikanët kanë ndërhyrë gjithmonë në momente delikate dhe të paktën deri më tani, SPAK shihet si organi që e kanë frikë të gjithë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje