Kryeministri vijon akuzat ndaj individëve të caktuar se e devijuan protestën dhe ndan fotografi për të mbështetur pretendimet e tij…
Kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën qytetare, e zhvillohet prej pothuajse 4 javësh dhe kërkohet dorëheqja e Kreut të Qeverisë. Rama shprehet në postimin e fundit se nuk ka kundërshtime ndaj protestuesve, por ndaj atyre që, sipas tij, përfitojnë nga protesta për interesa të tjera.
"Nuk merrem me protestuesit, por me përfituesit", shkruan Rama, duke i cilësuar këta të fundit si persona që, sipas tij, veprojnë të shtyrë nga "para e huaj", "këneta e vendit" ose të dyja së bashku. Ai pretendon se protesta, e nisur për mbrojtjen e natyrës, është devijuar nga individë që, sipas tij, përhapin urrejtje dhe synojnë destabilizimin.
Në postimin e tij, kryeministri publikon edhe dy fotografi, për të cilat pretendon se paraqesin të njëjtin person: një në takim me ish-presidentin iranian Mahmud Ahmadinexhad, ndërsa foto tjetër në protest. Rama pretendon se personi në fjalë ka bërë thirrje për kryengritje kundër qeverisë shqiptare dhe ka shprehur mbështetje për gjeneralin iranian Kasem Sulejmani, i vrarë në vitin 2020. Kryeministri nuk paraqet prova të tjera që mbështesin këto pretendime përtej fotografive të publikuara në postim. Bëhet fjalë për protestuesen Igballe Huduti, përfaqësuese e sektit “shija” në Kosovë. Ajo ka udhëtuar nga Kosova drejt Tiranës për të mbështetur protestat.
Që në ditët e para të nisjes së protestave, Rama drejtoi gishtin nga Teherani, duke theksuar se pas protestave qëndron pikërisht vendi të cilin Kryeministri e ka akuzuar edhe për sulme kibernetike ndaj Shqipërisë.
Postimi i Edi Ramës
Mos u merr me protestuesit…
Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër
Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë
Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës
Lini një Përgjigje