Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj qëndrimit të qeverisë shqiptare lidhur me deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka zgjedhur të mos reagojë ndaj tyre.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha u shpreh se deklaratat e ministres serbe kanë nxitur reagime të shumta në arenën ndërkombëtare, ndërsa, sipas tij, autoritetet shqiptare nuk kanë mbajtur të njëjtin qëndrim.
Kreu i opozitës kritikoi ashpër kryeministrin Rama, duke e akuzuar se mban një qasje të afërt me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe se nuk po mbron interesat e shqiptarëve.
"Deklaratat e ministres monstër të Beogradit, me të cilat ajo dëshmon se zgjidhja më e mirë e problemeve ndëretnike është spastrimi etnik dhe gjenocidi, kanë marrë ndëshkim ndërkombëtar.
Kanë reaguar fuqishëm Komisioni Europian në zëdhënësin e saj. Ka reaguar për hir të së vërtetës edhe komisionerja për zgjerimin, zonja Kos. Ka reaguar fuqishëm zëdhënësi i Foreign Office, Ministrisë së Jashtme Britanike.
Por kanë reaguar për hir të së vërtetës dhe dhjetëra, dhjetëra deputetë dhe personalitete në vetë Serbi. Republika e Kosovës e ka shpallur non-grata. Edi Rama dhe zëdhënësit e tij të turpit në Ministrinë e Jashtme kanë heshtur si fija e barit. Dhe jo vetëm heshtur, por Edi Rama deklaroi se nuk mund të përfshihet në histerizma sa herë një çyryk flet këto apo ato. Edi Rama është një skllav, një vasal i Vuçiçit.
Ta kuptojnë shqiptarët mirë se ç'janë këta, ç'përfaqësojnë, që nuk pranojnë dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Dhe tani kur ministrja e Aleksandër Vuçiçit deklaron se duhej spastruar etnikisht Kosova, Edi Rama e quajti një çyryke. Ajo është një raciste e egër antishqiptare e cila në të gjitha ligjet e botës meriton dënimet më të rënda. Por Rama është argat i Vuçiçit, armik i egër i shqiptarëve dhe çështjes së tyre.", u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje