Një 68-vjeçar shqiptar, përfundoi në prangat e policisë greke në zonën e Follorinës, pasi po transportonte një sasi të madhe kanabisi.
Sipas autoriteteve greke, arrestimi u krye pas një operacioni të organizuar nga Seksioni i Hetimit dhe Zbulimit të Krimeve në Follorinë, në kuadër të veprimeve kundër trafikimit të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte 68-vjeçari, efektivët zbuluan dy çanta udhëtimi dhe një thes, ku ishin fshehur 50 pako me kanabis të papërpunuar. Pesha totale e lëndës narkotike arrinte në 55 kilogramë e 422 gramë.
Policia sekuestroi lëndën narkotike, automjetin e përdorur për transportin dhe tre telefona celularë që u gjetën në posedim të të arrestuarit.
Autoritetet greke theksojnë se muajt e fundit është vënë re një shtim i rasteve të trafikimit të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 11 muajve të fundit janë sekuestruar mbi 1.2 ton marijuanë në rajonet e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Follorinës dhe Selanikut.
Ndaj 68-vjeçarit është ngritur një procedim penal për vepër penale të kategorisë së krimeve të rënda. Pas përfundimit të procedurave policore, ai u dërgua përpara Prokurorisë së Shkallës së Parë në Follorinë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të çështjes po vijojnë nga strukturat përkatëse të policisë greke.

Lini një Përgjigje