Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të thirret si dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij. Sipas Metës, dëshmia e kreut të qeverisë është e nevojshme për të sqaruar rrethana që lidhen me ligjin për minierat dhe procesin e vendimmarrjes që ka shoqëruar ndryshimet ligjore në këtë fushë.
Në listën e dëshmitarëve të propozuar nga Meta përfshihen gjithashtu ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Gjatë deklarimeve të tij në gjykatë, Meta argumentoi se çështja kërkon një analizë më të gjerë të efekteve që kanë sjellë ndryshimet ligjore, duke sugjeruar edhe përfshirjen e ekspertëve të pavarur.
“Do ishte me vlerë të thërrasim një ekspert në fushën e minierave, apo një ekspert të pavarur për të parë, që nga ky ndryshim ligjor sa subjekte kanë përfituar. Për të kuptuar nëse ishte i nevojshëm apo jo. Jeni përballë një fantazie të shfrenuar. Shtëpia këtu, shtëpia aty, pallati këtu, pallati atje. Ne kemi jetuar deri më 2008-2009 në banesën e prindërve të bashkëshortes sime. Vendi u dha për pallat dhe prandaj duhet të lëviznim”, deklaroi Meta.
Ai vijoi duke sqaruar edhe rrethanat e lëvizjeve të familjes së tij ndër vite, duke kundërshtuar pretendimet që, sipas tij, po përdoren në proces.
“Jemi vendosur tek blloku, pasi zonja kishte gjetur një okazion. Katër vite kemi qëndruar aty. Ndërtesa ishte me probleme, pavarësisht se vendi ishte i mirë. Unë e kisha të pamundur të bëja aktivitete sportive. Qëllimi nuk ishte të merrja një vilë. Kërkesa e parë ishte për një apartament afër stadiumit, për të qenë larg zhurmës së bllokut. Plus, ato muret ishin të lehta dhe dëgjohej gjithë zhurma e zonës”, u shpreh ai.
Meta theksoi se roli institucional i kryetarit të Kuvendit nuk lidhet me përmbajtjen e ligjeve që miratohen, duke insistuar se personat që kanë pasur përgjegjësi politike në atë periudhë duhet të dëshmojnë në gjykatë.
“Kryetari i Kuvendit ka vetëm një votë. Edhe kur voton kundër një ligji, e ka për detyrë funksionale ta firmosë. Për këtë çështje këtu duhet të vijë Edi Rama, duhet të vijë kreu i grupit parlamentar të PS. Kurrë s’kam diskutuar me njeri, as për të marrë shtëpi, as për të lënë shtëpi. Të gjitha janë lidhje absurde, pasi kur nuk ke një fakt, kur nuk ke një sms, kur nuk ke një mail, atëherë do të bësh montazhe”, tha Meta.
Kërkesa e paraqitur nga kreu i Partisë së Lirisë pritet të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë nëse dëshmitarët e propozuar do të thirren për të dhënë deklarime në kuadër të procesit gjyqësor.
Lini një Përgjigje