Ankaraja po pret samitin e NATO-s, ku janë mbledhur liderët e 32 vendeve anëtare të aleancës ushtarake.
Gjatë ditës së parë, diskutimet u përqendruan te rritja e investimeve dhe forcimi i industrisë së mbrojtjes. Ndër temat kryesore të axhendës mbetet edhe situata në Ukrainë, si dhe paketa e ndihmës prej 70 miliardë eurosh që aleatët evropianë pritet të formalizojnë në Ankara për të mbështetur Kievin gjatë dy viteve të ardhshme.
Programi i ditës nis me fjalimet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe të liderëve pas mbërritjes së tyre. Më pas do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, fotografia tradicionale familjare dhe, në orën 11:15 sipas kohës lokale (10:15 CET), mbledhja e Këshillit të Atlantikut të Veriut.
Samiti do të mbyllet me konferencën për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte. Më pas janë planifikuar deklaratat e liderëve, ndërsa konferenca e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është parashikuar të mbahet në orën 16:05.
Gjatë një takimi me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, Trump deklaroi se kishte menduar të mos merrte pjesë në samitin e NATO-s dhe tha se kjo nuk do të kishte ndodhur vetëm për shkak të marrëdhënieve të tij me presidentin turk. Ai gjithashtu nuk përjashtoi mundësinë e tërheqjes së mëtejshme të trupave amerikane nga Evropa.
"Do ta shohim. Kam qenë shumë i zhgënjyer me NATO-n", u shpreh Trump, duke përmendur Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë, për të cilat tha se nuk kishin bërë mjaftueshëm për të mbështetur Shtetet e Bashkuara në konfliktin me Iranin.
Gjatë ditës së sotme, Trump pritet të zhvillojë një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Takimi konsiderohet i rëndësishëm për koordinimin e mbështetjes perëndimore ndaj Ukrainës, në një kohë kur situata ushtarake dhe diplomatike në Evropën Lindore mbetet e tensionuar.
Po ashtu, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka në axhendë disa takime dypalëshe me drejtues shtetesh dhe qeverish, mes tyre edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Dita e parë e samitit u mbyll me një darkë zyrtare të organizuar nga presidenti turk për liderët e vendeve anëtare të NATO-s. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Lini një Përgjigje