
Protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama vijoi edhe këtë mbrëmje në kryeqytet, duke shënuar ditën e 38-të radhazi të tubimeve qytetare para Kryeministrisë.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit u organizuan në një marshim përgjatë disa prej akseve kryesore të Tiranës. Kolona e qytetarëve kaloi fillimisht nga zona e ish-Bllokut dhe më pas u drejtua drejt Gardës së Republikës, më pas pranë Politekiku, ku pjesëmarrësit ndaluan për disa minuta duke vijuar thirrjet kundër qeverisë.
Gjatë gjithë itinerarit, protestuesit mbanin pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa dëgjoheshin vazhdimisht thirrje si "Rama, jep dorëheqjen!", "Ju erdhi fundi!", "Revolucion!", "Poshtë diktatura!" dhe "Shqipëria e rinisë, jo e partisë!".
Marshimi u shoqërua me bllokime të përkohshme të disa akseve rrugore, ndërsa qytetarët përsëritën kërkesën për largimin e qeverisë dhe ndryshim politik.
Pas ndalesës pranë Gardës së Republikës, protestuesit do të rikthehen sërish drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të përmbyllin marshimin dhe aktivitetin e protestës së ditës së 38-të.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit deklaruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se lëvizja qytetare nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave të tyre politike.
Lini një Përgjigje