
Një protestues që mori fjalën gjatë tubimit para Kryeministrisë, deklaroi se protesta qytetare ka vënë në vështirësi si kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në fjalën e tij, ai ironizoi qëndrimet e të dy liderëve politikë ndaj protestës, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të kërkojnë dorëheqjen e tyre.
Protestuesi deklaroi se "kjo protestë që ditën e parë i ka zënë si miu në çark Edi Ramën dhe Sali Berishën. I ka bllokuar brenda që të dy. Njëri hidhet dhe përdridhet si dhelpër në selinë e PS, se njëherë s’e do dhe njëherë e do protestën. Ndërsa tjetri, sorra".
Ai u shpreh gjithashtu se qëllimi i protestës është largimi i të dy figurave nga politika dhe jo, sipas tij, përfitimi i lëshimeve prej tyre.
"Të gjithë protestuesit t’i kërkojnë dorëheqjen pa kushte si Berishës, ashtu edhe Ramës. Nuk do të largohemi pa dhënë dorëheqjen këta intrigantë, që na kanë sjellë në këtë gjendje. Nuk jemi këtu për lëmoshën e Ramës dhe Berishës, jemi për t’u thënë: zhdukuni e largohuni. Na e kanë sjellë shpirtin në majë të hundës", tha tubuesi.
Deklaratat u bënë gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit shprehën qëndrimet e tyre për zhvillimet politike në vend dhe kërkesat e tyre ndaj klasës politike.
Lini një Përgjigje