Aktivisti dhe organizatori i protestës, Arben Kola, i cili u shoqërua në polici gjatë protestës së zhvilluar këtë të hënë para Kuvendit, reagoi pas lirimit të tij me akuza ndaj mënyrës se si, sipas tij, u menaxhua tubimi nga Policia e Shtetit.
Në deklaratën e tij para kryeministrisë, Kola pretendoi se protestuesit po përballen me presion dhe tentativa intimidimi, ndërsa ngriti edhe një akuzë të fortë se aktivisti Gent Progni është tentuar të sulmohet me thikë. Ai nuk paraqiti prova publike për këtë pretendim.
Sipas Kolës, protesta do të vazhdojë në mënyrë paqësore, ndërsa theksoi se qëllimi i protestuesve nuk është përshkallëzimi i situatës.
"Këta horra, e kanë vënë policinë vetëm pas protestuesve. Gent Progni është tentuar që të theret. Policia e Shtetit ka tentuar sot përmes disa individëve të lidhur me bandat, të therë Gent Prognin. Kjo tregon se këta gjakprishurit duan gjak sërish. Por duam ta bëjmë këtë revolucion pa gjak. Nuk duam vetëvrasje si në '97-'98-ën. Ndaj ata po tentojnë me shantazhe, përmes individëve të ndryshëm. Ju siguroj se nuk do ia dalin. Sikur disa prej figurave këtu të rrëzohen, të vriten, ju duhet ta vazhdoni këtë punë. Shqipëria nuk shitet, nuk do i dorëzohet mafies", tha Kola.
Lini një Përgjigje