
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta lidhur me pronat e sekuestruara së fundmi nga SPAK në kuadër të hetimeve ndaj grupit të lidhur me Dritan Gjikën, Eldi Dizdarin dhe Shpëtim Aliun.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha deklaroi se grupi, i akuzuar për trafikimin e rreth 50 tonëve kokainë gjatë viteve 2020-2021, ka investuar në sektorin e ndërtimit dhe turizmit përmes kompanive që sipas tij janë përdorur për pastrimin e parave të drogës.
Kreu i opozitës u ndal te një sipërfaqe toke në Jalë, për të cilën pretendoi se është blerë nga Isa Aliu me një çmim shumë të ulët krahasuar me vlerën reale të tregut. Sipas Berishës, bëhet fjalë për rreth 15 mijë metra katrorë tokë të blera për vetëm 54 mijë euro, ose rreth 3.2 euro për metër katror.
Ai përmendi gjithashtu një projekt për ndërtimin e një resorti me pesë yje në Jalë, duke pretenduar se kompanitë e përfshira në këtë investim rezultojnë mes subjekteve të goditura nga SPAK në kuadër të hetimeve për pastrim parash.
Berisha shtoi se këto të dhëna ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën e përfitimit të pronave në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar.
"Goditja e fundit ndaj grupit Dritan Gjika, Eldi Dizdari, Shpëtim Aliu, ka çuar në konfiskimin e një mori asetesh dhe kompanish, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe turizmit, që përdoreshin për pastrimin e parave të drogës.
Në krye të pastrimit të parave qëndronte Isa Aliu, vëllai i Salvadorit, Shpëtimit, figura qendrore që furnizonte grupin Dizdari-Gjika, përgjegjës për trafikimin e 50 tonë kokainë vetëm përgjatë vitit 2020-2021.
Por ju tani do njiheni me habinë e re të narkoshtetit të Edi Ramës.
Në pronat e sekuestruara mes të tjerash bie në sy edhe sekuestroja që i bëhet pronave të një ndërtimi që po zhvillohej në zonën e Vunoit.
E keni parasysh Vunoin ju, nuk është gjë Surreli se ç’është Vunoi, ose të themi fshati i Edvinit dhe dajë Kolekës.
Të gjitha të drejtat reale për pasuritë e paluajtshme që përfitohen nga subjekti Seaview Development dhe Aliu Road House nëpërmjet aktit noterial kryerje punimesh për ndërtimin e hotelit Zig-Zag, me pesë yje dhe mbi 200 dhoma, në Jalë, Himarë për të cilin shoqëria Navalno Group ka marrë përsipër bashkëfinancimin në masën 40 përqind dhe lejen e ndërtimit nga AZHT, thuhet në njoftimin që ka bërë SPAK për këtë hotel.
Nga hulumtimet tona rezulton se Seaview Development është bijë e kompanisë Aliu Road House dhe ka aplikuar për leje ndërtimi në AZHT në 29 prill të këtij viti dhe ishte i 41-ti në listën e diskutimeve.
Leje ndërtimi për objektin hotel Iberostar Resort me pesë yje, me një, dy, tre dhe katër kate mbi tokë dhe një gjer në pesë kate mbi tokë, me vendndodhje në Jalë, Bashkia e Himarës me objekt zhvillues shoqërinë Seaview Development.
Por ajo që bie në sy është se toka që Isa Aliu ka blerë në breg të detit në Jalë është me çmime jashtëzakonisht të ulëta, qesharake.
Këtë zonë në tokën kadastrale me një sipërfaqe prej 15 mijë metër katrorë, Isa Aliu e ka blerë me vetëm 6 milionë lekë të reja ose me kursin e kohës e ka blerë gjithsej me 54 mijë euro.
I bie 3-4 euro metri katror.
Përkatësisht, pasuria me numër 3614, 4400 metër katrorë, zona kadastrale 3844 është blerë me 1 milion e 760 mijë lekë.
Pasuria numër 33615, 4200 metër katrorë, zona kadastrale 3844 është blerë me 1 milion e 680 mijë lekë.
Pasuria numër 33616, 6600 metër katrorë, zona kadastrale 3844 është blerë me 2 milion e 560 mijë lekë.
Pra, siç e shikoni, pranë gjithsej 15 mijë metër katrorë tokë të blera vetëm për 400 lekë metri katror apo 3.2 euro metri katror.
Shiheni ku toka është blerë me 3.2 euro", u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje