TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Qershor 2026, 11:37

NATO demaskon propagandën e Ramës: Shqipëria manipuloi shpenzimet për mbojtjen, rrezikohet anulimi i samitit në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

Media holandeze, "De Telegraaf", ka raportuar se Shqipëria nuk do të lejohet më të presë samitin e ardhshëm të NATO-s, pasi nuk ka përmbushur minimumin e rënë dakord vitin e kaluar 2% e PBB, samit i cili kryeministri Edi Rama mburret se do të mbahet në Tiranë.

NATO demaskon propagandën e Ramës: Shqipëria manipuloi shpenzimet
Edi Rama, foto nga Getty Images

Shqipëria mund të përballet me pasoja brenda NATO-s pasi një rishikim i kryer nga Aleanca ka nxjerrë në pah se vendi nuk ka arritur nivelin minimal prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, pavarësisht raportimeve të mëparshme që e paraqisnin objektivin si të përmbushur.

Sipas medias holandeze "De Telegraaf", NATO njoftoi në muajin mars se të gjitha vendet anëtare kishin arritur pragun e vendosur prej 2 për qind të PBB-së për shpenzimet ushtarake gjatë vitit të kaluar. Ky objektiv ishte vendosur prej vitesh dhe u rikthye në qendër të vëmendjes pas presionit të ushtruar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përpara samitit të zhvilluar në Hagë.

Megjithatë, një verifikim i mëvonshëm i të dhënave ka treguar se jo të gjitha shtetet kishin raportuar saktë shpenzimet. Sipas një zyrtari të lartë të NATO-s të cituar nga gazeta holandeze, tre vende nuk e kanë arritur realisht objektivin prej 2 për qind.

Raporti thekson se në disa raste janë përfshirë në llogaritje shpenzime që nuk duhej të konsideroheshin pjesë e buxhetit të mbrojtjes. Burime të NATO-s citojnë Shqipërinë dhe Slloveninë si dy vendet me diferencat më të mëdha, duke rezultuar rreth gjysmë pike përqindjeje nën nivelin e kërkuar.

Sipas të njëjtave burime, ekziston rreziku që këto vende të mos arrijnë sërish objektivin edhe gjatë këtij viti. Shqetësime janë ngritur edhe për Hungarinë.

Çështja merr rëndësi të veçantë në një moment kur administrata amerikane po shqyrton praninë e saj ushtarake në Europë. Shtetet e Bashkuara pritet të rivlerësojnë brenda gjashtë muajve strukturën e trupave dhe bazave që mbajnë në kontinent.

Në të njëjtën kohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka paralajmëruar masa ndaj vendeve që vazhdojnë të mos përmbushin angazhimet financiare ndaj Aleancës. Sipas raportimeve, Uashingtoni kërkon gjithashtu të ulë kontributin e tij në buxhetin e NATO-s, nga i cili financohen selitë, misionet dhe stërvitjet e përbashkëta.

"De Telegraaf" shkruan se zhvillimet e fundit mund të ndikojnë edhe te ambicia e Shqipërisë për të organizuar samitin e ardhshëm të NATO-s. Burime të brendshme të Aleancës, të cituara nga gazeta, thonë se Tirana rrezikon të mos marrë më miratimin për të pritur takimin e nivelit të lartë nëse konfirmohet mospërmbushja e objektivave të mbrojtjes.

Ndërkohë prej një viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se në vitin 2027 në Tiranë do të organizohet Samiti i NATO-s.

"Samiti i NATO-s vendosi unanimisht organizimin e tij në Tiranë në 2027", ka shkruar Rama në rrjetet sociale, pas një samiti të Aleancës që u mbajt në Hagë të Holandës.

Lini një Përgjigje