Protesta e zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u shoqërua me pankarta të shumta kundër kryeministrit Edi Rama. Mes mesazheve më të spikatura ishin “Rama ik”, “Ti nuk je kryeministër, ti je pushtetar. Koha për llogari!” dhe “Hands Off Vjosa-Narta
Pankarta të shumta me mesazhe të forta politike dominuan protestën e zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mijëra qytetarë u mblodhën për të kundërshtuar projektin në Zvërnec dhe për të kërkuar përgjegjësi nga qeveria.
Mes pankartave më të spikatura ishte ajo me mbishkrimin në anglisht “Edi Rama: The Last Communist”, e shoqëruar me imazhe simbolike kundër kryeministrit.

Në një tjetër pankartë shkruhej “Ti nuk je kryeministër, ti je pushtetar. Koha për llogari!”, duke reflektuar pakënaqësinë e një pjese të protestuesve ndaj qeverisjes.

Një tjetër mesazh që tërhoqi vëmendjen ishte “Shite vendin copa-copa, në Zvërnec tu bë gropa”, një referencë e drejtpërdrejtë ndaj kundërshtimit të projektit që po zhvillohet në zonën bregdetare të Zvërnecit.

Protesta kishte edhe një komponent të fortë mjedisor. Në krye të marshimit mbahej banderola “Hands Off Vjosa-Narta”, ndërsa protestuesit mbanin edhe figura flamingosh rozë, simbol i lagunës së Nartës dhe biodiversitetit të zonës që, sipas tyre, duhet mbrojtur.
Mes pankartave të tjera spikatën edhe mesazhe si “Kemi din & iman, prandaj jemi në shesh”, si dhe “Nuk ka bir nëne dhe nuk ka bir kur... që shet tokën shqiptare”, të cilat shprehën kundërshtimin ndaj asaj që protestuesit e konsiderojnë cenim të interesave publike dhe pasurive kombëtare.

Në protestë u shfaqën gjithashtu pankarta që lidhnin zhvillimet e fundit në Zvërnec me incidentin e dhunshëm ndaj një protestuesi, si dhe thirrje për më shumë transparencë dhe mbrojtje të pronave e mjedisit.

Në përfundim të tubimit, organizatorët dhe pjesëmarrësit njoftuan se protestat do të vijojnë edhe të shtunën, fillimisht në orën 10:00 në Zvërnec dhe më pas në orën 18:00 në Tiranë, duke theksuar se lëvizja mbetet e bashkuar pavarësisht organizimit në dy qytete të ndryshme.


Lini një Përgjigje