TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Korrik 2026, 16:36

“Revolucioni i Flamingove” u dha të rinjve shqiptarë një arsye për të mos u larguar

Shkruar nga Michael Angelos Konstantopoulos

“Revolucioni i Flamingove” u dha të rinjve shqiptarë

Kur planet për zhvillimin e një ishulli të mbrojtur në Shqipëri, të mbështetura nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, nxitën protesta masive, ndodhi diçka e papritur: një brez që po përgatitej të largohej nga vendi vendosi të qëndrojë dhe të luftojë.

Më 30 maj, në Shqipëri shpërthyen protesta që shumë shpejt u njohën si “Revolucioni i Flamingove”, duke u shndërruar në një lëvizje shumë më të gjerë sesa një reagim i zakonshëm qytetar.

Shkëndija e parë erdhi nga planet për zhvillim dhe ndërtim në shkallë të gjerë në ishullin e pabanuar të Sazanit, si dhe nga synimet për ndërhyrje në vijën bregdetare të Nartës dhe Zvërnecit. Këto projekte mbështeteshin kryesisht nga investitori amerikan Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Pa përfshirje partiake dhe e udhëhequr kryesisht nga të rinjtë e lindur pas rënies së regjimit komunist, lëvizja bashkoi njerëz me bindje të ndryshme politike, brenda dhe jashtë vendit, rreth një ideje të vetme: zhvillimi nuk mund të shoqërohet me emigrim masiv, nepotizëm politik dhe vendimmarrje të mbyllur ndaj publikut.

Rasti i investimit në Sazan përmbledh kontradiktat kryesore të Shqipërisë së sotme.

Nga njëra anë, vendi promovohet si “Riviera e re e Adriatikut”. Nga ana tjetër, shoqëria përballet me largimin masiv të të rinjve, krizën e strehimit në qytetet e mëdha dhe pabarazi të thella rajonale.

Tirana zyrtare lëviz mes dy presionesh: të mbrojë mjedisin, të garantojë dëgjesat publike dhe të luftojë korrupsionin, por njëkohësisht të tërheqë pa pengesa investime të huaja.

Kjo përplasje mes vlerave të shpallura evropiane dhe një modeli zhvillimi agresiv me tipare ballkanike, shihet si një nga faktorët kryesorë të krizës politike që po merr formë në vend.

Rrëfim i qeverisë?

Ervin Goci, aktivist dhe pedagog në Departamentin e Komunikimit dhe Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, thotë se protestat nisën si reagim ndaj humbjes së qindra hektarëve tokë të mbrojtur nga planet urbanistike, por sot janë zgjeruar në një kërkesë më të madhe politike: dorëheqjen e qeverisë.

Duke folur për procesin e integrimit europian, Goci shton se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq pasigurie, por thekson se kjo nuk buron nga qytetarët, të cilët sipas tij e dinë qartë çfarë duan.

Problemi sipas tij, qëndron tek interesa të caktuara politike, ekonomike dhe kriminale që nuk e duan realisht integrimin në BE, ose e mbështesin atë vetëm në një formë sipërfaqësore.

Ai kritikon gjithashtu një qasje që sipas tij, e trajton integrimin si një “pazar politik”, ku kërkohet anëtarësimi pa llogaridhënie për sundimin e ligjit. Sipas Gocit, protesta nuk do të kishte marrë këtë përmasë pa një ndryshim të thellë shoqëror: kalimin nga apatia në organizim qytetar dhe solidaritet, i cili u zhvillua jashtë kontrollit institucional.

“Flamingoja përfaqëson një Shqipëri të re të ndërkombëtarizuar, por me një identitet alternativ dhe modern, në kontrast me imazhin zyrtar turistik të vendit. Përmes kësaj lëvizjeje po tregojmë se nuk jemi spektatorë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, por zotër të pasurisë sonë. Nuk përdorim flamurin kombëtar, sepse ai na ndan. Ndërkohë flamingoja, ka simbolikë universale dhe ndërton ura përtej kufijve. Është simboli i shqiptarit të shekullit XXI në një botë globale”, thotë ai.

Njerëzit e protestës

Besiana Guri, themeluese e organizatës mjedisore “Lumi”, është pjesë e lëvizjes që nga dita e parë. Ajo thotë se “Revolucioni i Flamingove” lindi nga vetë qytetarët dhe se simboli i flamingos u zgjodh sepse përfaqëson një specie të kërcënuar nga projektet e zhvillimit në zonat bregdetare.

Sipas saj, lëvizja ka bashkuar njerëz me shqetësime të ndryshme, përfshirë ata që kërkojnë një ndryshim të thellë të sistemit politik dhe shkëputje nga tranzicioni i gjatë postkomunist.

Guri shpjegon se kërkesat kryesore të protestuesve lidhen me një mënyrë të re qeverisjeje: më shumë transparencë, pjesëmarrje në vendimmarrje dhe dëgjim real të zërit të qytetarëve. Ajo thekson se shumica e protestuesve janë të rinj që deri dje planifikonin emigrimin, ndërsa tani shohin një mundësi për të qëndruar.

Sipas saj, nga kjo lëvizje mund të lindin edhe forca të reja politike, pasi ekziston një refuzim i gjerë ndaj elitave të diskredituara. “Nuk kemi nevojë për një lider apo parti që të na udhëheqë; protesta buron nga vetë shoqëria dhe do të prodhojë rezultatet e saj”, shprehet ajo.

Korrupsioni, paraja e zezë dhe evazioni fiskal

Një studim i Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional tregon se rreth 59 për qind e kompanive që morën leje ndërtimi për kulla në Shqipëri gjatë viteve 2017-2019 janë financuar nga kapitale të padeklaruara ose të paligjshme.

Për të njëjtën periudhë, vlerësohet se rreth 1.6 miliardë euro janë pastruar në sektorin e pasurive të paluajtshme. Ndërsa një raport i Fondacionit Friedrich Ebert përllogarit se midis viteve 2015-2024 korrupsioni dhe evazioni fiskal kanë gjeneruar mbi 8 miliardë euro fonde të padeklaruara, kryesisht në ndërtim.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetime mbi transaksionet e pronave në zonën e Zvërnecit, ndërsa bankat kanë ngrirë fonde të dyshuara të lidhura me këto blerje.

Por “Flamingot” nuk mbetën vetëm në Tiranë. Brenda pak javësh, simboli i protestës u përhap edhe në diasporë.

Në qytete të ndryshme të Evropës, nga Athina dhe Berlini deri në Vjenë, Hagë, Oslo dhe Bolonjë,  shqiptarët dolën në rrugë duke thirrur njëzëri: “Shqipëria nuk është në shitje!”./ Përshtati "Pamfleti" nga “voxeurop.eu”

revolucion flamingo

Lini një Përgjigje