Kryeministri sulmon Live komentuesit, vijon me gjestet dhe mimikat e çuditshme
Protesta duket se e ka vënë në siklet Edi Ramën. Edhe pse tenton të tregojë se e ka marrë me sportivitet, sjelljet dhe gjestet e tij tregojnë se kryeministri nuk i ka fort mirë punët. Dhe armiku tani janë influencerët apo blogerët. Ashtu si në Elbasan apo në Shkodër edhe në Fier, Rama vijoi me sjelljet dhe me mimikat e çuditshme.
Madje, në një moment që tërhoqi vëmendjen, Rama nisi të lexonte komente të printuara në letër nga rrjetet sociale, duke iu përgjigjur kritikëve të tij.
Krahas leximit të komenteve, Rama shfaqi edhe mimika, gjeste ironike dhe batuta ndaj blogerëve që sipas tij po ushqejnë debatin kundër investimit në Zvërnec.
“Ata blogerët e marrin pijen që kanë marrë për të pirë dhe pastaj e hedhin. Edhe thonë ‘Shqipëri hesapi, duam flamingot’. Por jeni të sigurt se ju duan flamingot ju? S’kanë gojë. Kjo është kur thoshte miku im, i ndieri Bujar Lako, të kesh dy bythë, një ta mbash e një ta çash”, tha Rama mes të qeshurave dhe ironive.
Kryeministri tregoi edhe për një bisedë telefonike që sipas tij kishte zhvilluar me një pjesëmarrës në protestë, duke e përdorur si shembull për të kundërshtuar argumentet e protestuesve.
“Pata një telefonatë me një djalë atje në protestë. ‘Me kë e kishe atë punën e patriotëve’, më tha. I thashë ‘dëgjo, nëse je patriot, pse merr pjesë në një mashtrim publik?’”, deklaroi Rama. Pra duket qartë se kryeministri është në siklet.
Për herë të parë në 35 vite demokraci, një protestë masive nuk po ngrihet për të sjellë në pushtet opozitën dhe as për të rrëzuar një qeveri në favor të një partie tjetër. Në rrugët e Tiranës po dëgjohet një mesazh krejt tjetër: largohuni të gjithë.
“Rama ik”, “Berisha në burg”, “Opozitë e shitur”. Këto nuk janë sloganet e një partie politike. Janë thirrjet e një brezi që nuk beson më tek asnjëra palë e kastës së vjetër.
Zvërneci ishte vetëm shkëndija. Zemërimi kishte vite që grumbullohej. Korrupsioni, varfëria, largimi i të rinjve, mungesa e shpresës, kapja e shtetit, shkatërrimi i institucioneve dhe pandëshkueshmëria kanë prodhuar diçka që politika nuk e kishte parë prej kohësh: një revoltë kundër të gjithëve. Prandaj Edi Rama duket i sikletosur. /Pamfleti
Lini një Përgjigje