Pasditen e së premtes, një stuhi e fuqishme përfshiu qytetin e Elbasanit dhe një pjesë të madhe të qarkut, duke sjellë reshje të dendura shiu, breshër dhe erëra të forta.
Reshjet nisën rreth orës 14:50 dhe brenda pak minutash ndryshuan ndjeshëm kushtet atmosferike. Në disa zona të qytetit u krijuan grumbullime uji, ndërsa qarkullimi i automjeteve u ngadalësua për shkak të dukshmërisë së kufizuar dhe përmbytjes së disa segmenteve rrugore.
Edhe lëvizja e këmbësorëve u vështirësua nga intensiteti i reshjeve dhe breshëri. Erërat e forta shtuan problemet në disa zona, duke ndikuar në aktivitetin e përditshëm të banorëve.
Deri tani nuk ka raportime për persona të lënduar. Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit, pasi moti i paqëndrueshëm vijon.
Stuhia preku jo vetëm qytetin e Elbasanit, por edhe bashki të tjera të qarkut, duke sjellë një ndryshim të menjëhershëm të motit pas periudhës me temperatura të larta.
Lini një Përgjigje