
Deputetja Marjana Koçeku mungoi në seancën plenare të ditës së sotme, disa ditë pasi deklaroi publikisht se nuk është më pjesë e Partisë Socialiste.
Në vendin e saj në sallën e Kuvendit është ulur deputetja e Vlorës, Briseida Çakërri, një lëvizje që ka tërhequr vëmendjen mes zhvillimeve të fundit politike që lidhen me Koçekun.
Që prej seancës plenare të javës së kaluar, deputetja nuk ka bërë asnjë dalje publike dhe ka munguar edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare, duke shmangur aktivitetin e saj institucional.
Të dielën, Koçeku deklaroi se nuk ishte më pjesë e Partisë Socialiste. Duke iu përgjigjur zërave që kërkonin dorëzimin e mandatit, ajo hodhi idenë e shpërndarjes së Parlamentit dhe sfidoi kundërshtarët politikë, duke deklaruar se do t’i mundte nga Tirana.
Ndërkohë, deputetja ka ndërprerë komunikimin me mediat dhe nuk po u përgjigjet gazetarëve. Burime pranë socialistëve bëjnë me dije se as grupi parlamentar i PS-së nuk ka arritur të kontaktojë me të.
Deri më tani, Koçeku nuk ka depozituar asnjë kërkesë zyrtare për largim nga grupi parlamentar socialist apo për të vijuar mandatin si deputete e pavarur.
Lini një Përgjigje