Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg" për Eralbi Breçanin, djalin e ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, Erzen Breçani.
Sipas njoftimit zyrtar, trupi gjykues shqyrtoi ankimin e Breçanit ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, të dhënë më 15 qershor 2026, por vendosi ta rrëzojë atë, duke konfirmuar vijimin e masës së sigurisë, në bazë të nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Në dosjen hetimore të SPAK, Eralbi Breçani dyshohet se është përfshirë në veprimtari të trafikimit të lëndëve narkotike dhe se në të paktën dy raste e ka kryer këtë aktivitet në bashkëpunim me persona të tjerë.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur dyshime edhe mbi disa grupe komunikimi në aplikacione të mesazheve, ku, sipas hetimeve, merrte pjesë edhe Ervin Mata, kunati i Breçanit. Sipas SPAK, ekzistojnë indicie se këto komunikime mund të jenë përdorur për organizimin ose lehtësimin e veprave penale.
Me vendimin e Apelit, masa e sigurisë ndaj Eralbi Breçanit mbetet e pandryshuar dhe ai do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, ndërsa hetimet ndaj tij vazhdojnë.
Lini një Përgjigje