TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Korrik 2026, 13:50

“Nuk dëgjova ‘mirupafshim në Shqipëri’”, Berisha për samitin e NATO-s: Rama mori karton të kuq në Ankara

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk dëgjova ‘mirupafshim në Shqipëri’”,
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi deklaratat e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, sipas të cilave samiti i ardhshëm i Aleancës pritet të zhvillohet në Shqipëri.

Berisha tha se, pavarësisht këtyre deklaratave, ai ka dyshimet e tij dhe pretendoi se kryeministri Edi Rama ka marrë “karton të kuq” gjatë vizitës në Ankara.

Megjithëse u shpreh i rezervuar për zhvillimin e samitit në Tiranë, kreu i demokratëve tha se nuk kishte dëgjuar një konfirmim të drejtpërdrejtë gjatë takimit të fundit të Aleancës.

“Unë nuk dëgjova një fjalë mirupafshim në Shqipëri, në Tiranë. Nuk e dëgjova. E vërteta është që në samitin e mëparshëm për vitin 2027 ishte caktuar Tirana, kjo është e njohur. Por ka mbi dy muaj që qarkullojnë zëra të ndryshëm. Unë nuk mund të komentoj, as se zhvillohet, as se nuk zhvillohet”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe te pjesëmarrja e Ramës në aktivitetet zyrtare në Turqi, duke komentuar mënyrën e veshjes së kryeministrit dhe duke pretenduar se ai nuk u prit mirë gjatë darkës presidenciale.

“E patë besoj apo jo? Aty ishte njeriu më i vetmuar. Sharlatani më i damkosur. Hokatari më i shpifur. Që mendoi se me atletet e bardha, s’po përdor shprehjet që i meriton në këtë rast, do mund të tërhiqte vëmendje dhe tërhoqi vetëm përçmim. E patë vetë. Nuk ka një foto. Nuk ka një fjalë. Ka vetëm atletet e tij. Për të cilat protokolli turk, në darkën presidenciale i nxori kartonin e kuq: S’mund të vish! Edhe u detyrua të kthehet, mos bëjë më ekzibicionistin, por të zbresë tek këpucët normale për ngjarje të tilla. Shikojeni ju kur shkon, kur futet në pallatin presidencial për darkën e presidentit. Por aty nuk u tolerua, u përçmua”, deklaroi Berisha.

Lini një Përgjigje