Shqipëria kryeson në mbështetjen për BE-në, ndërsa Serbia mbetet bastioni më skeptik ndaj integrimit evropian...
Një sondazh i publikuar së fundmi nga projekti WeBalkans tregon se Bashkimi Evropian vazhdon të gëzojë nivele të larta besimi dhe mbështetjeje në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Përjashtim bën Serbia, ku perceptimi ndaj BE-së dhe mbështetja për anëtarësimin mbeten dukshëm më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Sipas të dhënave të sondazhit, puna në terren është zhvilluar nga shkurti deri në prill të vitit 2026, përmes intervistave ballë për ballë me mostra përfaqësuese prej 1.000 personash në secilin vend të Ballkanit Perëndimor.
Të anketuarit ishin qytetarë të moshës 15 vjeç e lart.

Shqipëria kryeson në perceptimin pozitiv ndaj BE-së
Rezultatet tregojnë se 82 për qind e qytetarëve në Shqipëri kanë një imazh pozitiv për Bashkimin Evropian, duke e renditur vendin në krye të rajonit. Pas Shqipërisë vijnë Mali i Zi me 67 për qind, Kosova me 64 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 61 për qind.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, 53 për qind e të anketuarve e shohin pozitivisht BE-në, ndërsa Serbia regjistron nivelin më të ulët me vetëm 28 për qind. Në këtë vend, 38 për qind e qytetarëve kanë një qëndrim neutral ndaj BE-së dhe 32 për qind një qëndrim negativ.
Edhe treguesi i besimit ndaj Bashkimit Evropian paraqitet i lartë në pjesën më të madhe të rajonit. Shqipëria kryeson me 91,9 për qind, e ndjekur nga Kosova me 83,3 për qind, Maqedonia e Veriut me 79,5 për qind, Mali i Zi me 72,8 për qind dhe Bosnje dhe Hercegovina me 72 për qind.
Në Serbi, niveli i besimit ndaj BE-së arrin në vetëm 39,8 për qind, duke reflektuar një distancë të konsiderueshme nga trendi rajonal.

Mbështetje e fortë për anëtarësimin në BE
Sondazhi evidenton gjithashtu mbështetje të gjerë për procesin e integrimit evropian. Në Shqipëri, 92 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Mbështetja është gjithashtu e lartë në Kosovë me 83 për qind, Mal të Zi me 68 për qind, Maqedoninë e Veriut me 67 për qind dhe Bosnje e Hercegovinë me 64 për qind.
Serbia mbetet sërish përjashtim, ku vetëm 31 për qind e qytetarëve shprehen në favor të anëtarësimit në BE. Sipas sondazhit, 27 për qind mbajnë qëndrim neutral, ndërsa 40 për qind kundërshtojnë anëtarësimin.

Qëndrime të ndryshme ndaj SHBA-së, Rusisë dhe Kinës
Rezultatet tregojnë se besimi ndaj Shteteve të Bashkuara është veçanërisht i lartë në Shqipëri dhe Kosovë, ku tejkalon 88 për qind. Në Maqedoninë e Veriut ky nivel arrin në 61,9 për qind, ndërsa është më i ulët në Mal të Zi me 46,7 për qind, Bosnje dhe Hercegovinë me 31,8 për qind dhe Serbi me 16 për qind.
Ndërkohë, Rusia gëzon besim më të madh në Serbi, ku 58,4 për qind e të anketuarve deklarojnë se i besojnë. Nivele relativisht të larta regjistrohen edhe në Mal të Zi me 46,7 për qind dhe në Maqedoninë e Veriut me 36,8 për qind. Në Shqipëri dhe Kosovë, besimi ndaj Rusisë mbetet nën 10 për qind.

Sa i përket Kinës, Mali i Zi shënon nivelin më të lartë të besimit me 64,5 për qind, i ndjekur nga Serbia me 54,5 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 47,5 për qind. Në Shqipëri, 41,2 për qind e qytetarëve shprehen se i besojnë Kinës, ndërsa në Kosovë ky tregues mbetet vetëm 9,1 për qind.

Diferenca të qarta gjeopolitike në rajon
Të dhënat e sondazhit tregojnë se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbeten të orientuara drejt Bashkimit Evropian dhe aleatëve perëndimorë. Shqipëria dhe Kosova shfaqin nivelet më të larta të besimit ndaj BE-së dhe SHBA-së, ndërsa Serbia paraqet një profil të ndryshëm, me besim më të madh ndaj Rusisë dhe Kinës dhe mbështetje dukshëm më të ulët për integrimin evropian.

Rezultatet pasqyrojnë dallimet politike, historike dhe gjeopolitike që vazhdojnë të ndikojnë perceptimet e qytetarëve në rajon lidhur me aktorët kryesorë ndërkombëtarë dhe procesin e integrimit evropian. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje