Pas qortimit në Pallatin e Brigadave, një pjesë e socialistëve u hodhën në sulm ndaj protestuesve dhe veçanërisht ndaj Dritan Goxhajt, disa të tjerë u mjaftuan me ripostimet e Ramës, ndërsa shumë figura të rëndësishme zgjodhën heshtjen...
Protesta po hyn në javën e saj të katërt dhe qeveria duket se ka zgjedhur strategjinë e kundërsulmit. Jo ndaj kërkesave të protestuesve, por ndaj figurave që po identifikohen me protestën.
Gjatë mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të zhvilluar të shtunën në Pallatin e Brigadave, Edi Rama nuk e fshehu pakënaqësinë ndaj deputetëve dhe ministrave të tij. Sipas burimeve, kryeministri i qortoi ata se e kishin lënë të vetëm përballë protestës që prej javësh po zhvillohet para Kryeministrisë.
Argumenti i Ramës ishte se Partia Socialiste po humbte terren në rrjetet sociale dhe se "algoritmi" po favorizonte protestën dhe kundërshtarët e qeverisë. Për këtë arsye, ai u kërkoi deputetëve dhe ministrave të shtonin aktivitetin publik dhe të mbronin më fort qëndrimet e mazhorancës.
Duket se mesazhi është kuptuar nga disa. Besnikët e kryetarit kanë nisur të reagojnë kundër protestës dhe sidomos sot, duke kryer ripostime apo me reagime kundër Dritan Goxhajt, personi që lexoi kërkesat e protestuesve në tubimin e fundit. Sulmi ndaj Goxhajt sot ka qenë i koordinuar, qoftë nga socialistët, qoftë nga mediat pranë tyre, me qëllim deligjitimimin e protestës dhe për ta lidhur me Iranin.
Megjithatë, reagimi nuk ka qenë i njëjtë për të gjithë.
Një pjesë e figurave të rëndësishme të Partisë Socialiste kanë zgjedhur të kufizohen në ripostimin e mesazheve të Edi Ramës, pa marrë vetë një pozicion të drejtpërdrejtë. Në këtë kategori përfshihen pjesa më e madhe e deputetëve, të cilët janë mjaftuar me shpërndarjen e postimeve të kryeministrit. Pra diçka "sa për sye e faqe".
Ndërkohë, ajo që bie më shumë në sy është heshtja e një pjese të figurave kryesore të Partisë Socialiste.
Emra si Igli Hasani, Anila Denaj, Ervin Hoxha, Ceno Klosi, Olta Xhaçka, Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe nuk janë parë të përfshirë në fushatën e ditëve të fundit kundër protestës. Në rrjetet sociale nuk kanë postime kundër mijëra emrave që kanë dalë kundër qeverisë.
Situata ka krijuar një panoramë të pazakontë brenda mazhorancës. Nga njëra anë, një grup socialistësh që po përpiqen të ndjekin linjën e re të sulmit ndaj figurave që identifikohen me protestën. Nga ana tjetër, një numër jo i vogël deputetësh që kanë zgjedhur të mos përfshihen fare. Pa përmendur Marjana Koçekun, e cila braktisi PS-në dhe sot ka sulmuar drejtpërdrejt Ramën. Nga ana tjetër kemi Elisa Spiropalin, e cila i mbështet protestuesit.
Kjo tregon se pavarësisht shqetësimit të shprehur nga Rama në Pallatin e Brigadave, jo të gjithë në Partinë Socialiste ndajnë të njëjtin mendim me të.
Padyshim, emra si Ulsi Manja, Taulant Balla, Ardit Bido, Zegjine Çaushi apo Sara Mila i kanë qëndruar besnikë, por një pjesë e madhe jo. Shumica e socialistëve vetëm sa kanë bërë share postimet e Ramës dhe kjo e imponuar nga “algoritmi”, një pjesë kanë sulmuar Goxhajn sot, padyshim me urdhër nga lart. Pra shumica nuk kanë qëndrim të vetin për protestën dhe kjo do të thotë shumë për situatën në PS. /Pamfleti
Lini një Përgjigje