Kapiteni i kombëtares franceze, Kylian Mbappé, ka shprehur zhgënjimin e tij pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, duke pranuar se Franca nuk arriti të shfaqte nivelin e nevojshëm për të siguruar kualifikimin në finale.
Në një intervistë për M6, sulmuesi i Real Madridit u shpreh se skuadra franceze dështoi si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë teknik.
“Mendoj se nuk zhvilluam ndeshjen që donim, as taktikisht, as teknikisht dhe as për sa i përket nivelit tonë të përgjithshëm. Kur nuk bën atë që duhet në një gjysmëfinale të Botërorit, nuk fiton.”, u shpreh ylli francez.
Mbappé e cilësoi eliminimin si një zhgënjim të madh, duke theksuar se Franca kreu shumë gabime teknike gjatë gjithë takimit.
“Spanja ndoqi planin e saj, atë për të cilin njihet: një skuadër që mban topin dhe kontrollon ritmin e lojës. Ne donim t’i ushtronim presion lart për të mos i lejuar të vendosnin ritmin e tyre, sepse ata janë më të mirë se ne në kontrollin e lojës. Dhe nuk ia dolëm.”, u shpreh ai.
Sulmuesi francez nënvizoi gjithashtu se mesfushorët e Spanjës, Rodri dhe Fabián Ruiz, patën hapësirat e nevojshme për të organizuar lojën, çka sipas tij ndikoi ndjeshëm në ecurinë e ndeshjes.
“Nga ana teknike, pasimet dhe prekjet tona të para nuk ishin në nivelin e një gjysmëfinaleje të Kupës së Botës. Për ta thënë objektivisht, nuk i kishim përbërësit e nevojshëm në fushë për të arritur në finale.”, tha Mbappe.
Lini një Përgjigje