TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Korrik 2026, 11:19

Kapen 44 kg kanabis në një zonë të mbrojtur në Divjakë, nisin hetimet për tre zyrtarë

Shkruar nga Pamfleti
Kapen 44 kg kanabis në një zonë të mbrojtur në
Foto nga parcela me kanabis

Policia e Fierit ka zbuluar një ambient të përshtatur për tharjen dhe përpunimin e lëndës narkotike në zonën e Rezervuarit të Divjakës, ku u sekuestruan 44 kilogramë lëndë e dyshuar kanabis.

Operacioni i koduar "Koordinimi", i zhvilluar pas kontrolleve nga toka dhe ajri me dronë, çoi në zbulimin e 37 kilogramëve kanabis në proces tharjeje dhe 7 kilogramëve kanabis në formë boçesh. Lënda narkotike u sekuestrua si provë materiale.

Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Fierit nisi procedim penal në gjendje të lirë për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës" ndaj tre punonjësve të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier: Edison Toromëni, me detyrë përgjegjës sektori, Festim Hoxha, specialist menaxhimi, dhe Gazmor Allka, me detyrë roje.

Sipas Policisë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, ndërsa kontrollet në territor do të vazhdojnë për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

"Si rezultat i kontrolleve intensive në territorin e qarkut Fier, nga toka dhe nga ajri, me dronë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin e koduar "Koordinimi".  

Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”, në një tokë shtetërore, u gjet një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike. Në këtë ambient u gjetën 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje dhe 7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në formë boçesh. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, me qëllim kryerjen e ekspertimit.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për 3 punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier, shtetasit:

-E. T., 33 vjeç, me detyrë përgjegjës sektori, F. H., 37 vjeç, me detyrë specialist menaxhimi dhe G. A., 53 vjeç, me detyrë roje.

Vijon puna, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për identifikimim dhe kapjen e autorit/ëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier vijon kontrollet intensive nga ajri, me dronë, dhe nga toka, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike", njoftoi policia.

Lini një Përgjigje