Kërkesa e opozitës për një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama mbi pesë kërkesat e protestuesve u rrëzua në Kuvend, pasi kryeparlamentari Niko Peleshi vendosi të mos e pranojë, me argumentin se çështjet e ngritura nuk përmbushin kriteret për një procedurë të tillë.
Duke argumentuar vendimin, Peleshi tha se kërkesa kishte karakter legjislativ dhe nuk lidhej me kërkimin e shpjegimeve për veprimtarinë e Këshillit të Ministrave.
“Shumica e çështjeve të ngritura ka natyrë legjislative pasi lidhen me ndryshimin ose shfuqizimin e akteve në fuqi dhe jo me kërkimin e shpjegimeve për veprimtari konkrete të Këshillit të Ministrave. Kërkesa nuk pranon një objekt të veçantë dhe të pavarur që të justifikojë zhvillimin e një interpelance urgjente. Kërkesa nuk pranohet”, tha Peleshi.
Vendimi solli reagimin e menjëhershëm të kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili akuzoi drejtuesin e seancës se po pengon ushtrimin e kontrollit parlamentar dhe po mbron kryeministrin nga detyrimi për të dhënë llogari.
“Ky është një refuzim për parlamentin, një refuzim ndaj qytetarëve shqiptarë. Ju sot nuk dështuat vetëm në përmbushjen e rolit tuaj. Sot ju po mbroni kryeministrin nga llogaridhënia. Detyra juaj është të mbroni dinjitetin e Kuvendit për t’i kërkuar llogari qeverisë. Ju sot zgjodhët të mbroni kryeministrin dhe jo parlamentarizmin. Rama është peng i krimeve shtetërore dhe besoj se e ka menduar realisht dorëheqjen, por s’mund ta japë sepse është peng i sistemit që ka ndërtuar vetë. Edi Ramën nuk e lejojnë të largohet sepse ka ende borxhe për të shlyer që e bën duke shitur copa të Shqipërisë”, tha Bardhi.
Pas fjalës së tij, Bardhi vendosi telefonin celular pranë mikrofonit të foltores dhe transmetoi një video, për të cilën tha se përfaqësonte kërkesën e protestuesve që prej 30 ditësh janë në sheshe. Në sallë u dëgjua slogani: "Rama jepe dorëheqjen".
Debati u tensionua edhe më tej, kur Bardhi iu përgjigj nga foltorja deputetit Arkend Balla.
“Arkend, në burg do të shkojnë Troplinët, ato që të kanë sjellë ty këtu. Uroj shumë t’u shkosh nga mbrapa”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje