Elisa Spiropali i dha fund spekulimeve për një largim të mundshëm nga Partia Socialiste dhe deklaroi se beteja e saj politike do të zhvillohet brenda PS. Në deklaratën për mediat para nisjes së seancës plenare të kësaj të marte, Spiropali u shfaq e vendosur se do të mbetet pjesë e PS-së, ndërsa sfidoi hapur kryeministrin duke konfirmuar se po punon për draftin e "Shqipërisë së Re", ide që e ka prezantuar javët e fundit si vizionin e saj për ndryshimin e mënyrës së funksionimit të shtetit dhe politikës.
"Jemi duke punuar. E rëndësishme është ajo që do të bëjmë për Shqipërinë. Unë jam në PS, kam qenë në PS dhe do të jem gjithmonë në PS. Në PS duhet të jetë të gjithë ata që kërkojnë një Shqipëri më të mirë, e kanë bërë historikisht, e kanë bërë sot. Ato që i kanë sjellë dëme PS le të shkojnë aty ku e kanë vendin”, tha Spiropali.
Deklarata vjen në një moment kur marrëdhënia mes Spiropalit dhe Ramës mbetet një nga përplasjet më të dukshme brenda Partisë Socialiste. Prej muajsh, deputetja ka artikuluar publikisht kritika ndaj mënyrës se si funksionon partia, duke ngritur shqetësime për mungesën e debatit të brendshëm, përqendrimin e vendimmarrjes dhe nevojën për një model të ri politik.
Përplasja mes tyre nisi menjëherë pas largimit të Spiropalit nga posti i ministres, periudhë gjatë së cilës në disa mbledhje të grupit parlamentar ajo dhe Edi Rama patën debate të drejtpërdrejta që më pas u bënë publike edhe në media.
Më pas, gjatë valës së protestave kundër qeverisë, Spiropali e ashpërsoi tonin ndaj kryeministrit. Ajo kritikoi kohëzgjatjen e pushtetit të Ramës dhe kërkoi ndryshime në mënyrën e qeverisjes, duke argumentuar se Partia Socialiste duhet të hapet ndaj garës së ideve dhe mendimit ndryshe.
Pak javë më parë, Spiropali hodhi për herë të parë idenë e draftit "Shqipëria e Re". Në reflektimin e saj publik ajo kërkoi një marrëveshje të re politike për vendin, me më shumë garë, kufizim të pushtetit, forcim të institucioneve, rritje të rolit kontrollues të Parlamentit, një sistem zgjedhor më përfaqësues dhe një kulturë politike ku, sipas saj, "rotacioni nuk shihet si katastrofë dhe fitorja nuk shihet si pronësi".
Në deklaratën e sotme, Spiropali konfirmoi se puna për këtë draft vijon, megjithëse nuk bëri publike detaje mbi përmbajtjen apo afatet e prezantimit të tij.
Lini një Përgjigje