Protesta para kryeministrisë tregoi hendekun mes fakteve të qeverisë dhe përjetimit të njerëzve.
Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama për protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, duke deklaruar se ajo nxori në pah një hendek të madh mes statistikave dhe arritjeve që prezanton qeveria, dhe mënyrës se si qytetarët e përjetojnë realitetin e përditshëm.
Gjatë mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar Socialist, Rama tha se qeveria ka pasur fakte dhe rezultate konkrete, por sipas tij, qytetarët kanë përballë një tjetër realitet të krijuar nga përvoja me shërbimet dhe administratën.
“Në pasqyrën e bulevardit të flamingove unë pashë një të vërtetë tronditëse që asnjë statistikë nuk e tregon, por asnjë provë nuk e rrëzon: ne lart, kishim fakte. Njerëzit poshtë, kishin përjetim”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë përsëriti qëndrimin e tij se në protestë pati edhe ndërhyrje të jashtme, manipulime dhe përhapje të lajmeve të rreme, por theksoi se këto, sipas tij, nuk ishin arsyeja kryesore e pakënaqësisë së qytetarëve.
“Në atë protestë pati ndërhyrje të huaj, brutale madje, manipulime të panumërta, lajme të rreme dhe plot aktorë të vënë nga qëllime të ndryshme, ishin pjesë e rëndësishme e protestës. Ekspozimi dhe analiza e tyre janë të domosdoshme për ta kuptuar, por nuk ishin zemra e atij manifestimi spektakolar që e ktheu bulevardin në hendekun më të dukshëm të mundshëm mes fakteve tona dhe përjetimit të njerëzve”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, përgjigjja për këtë hendek nuk duhet kërkuar te faktorët politikë apo aktorët që morën pjesë në protestë, por te marrëdhënia e qytetarëve me institucionet dhe përvojat e tyre të përditshme.
“Përgjigjja për themelin e atij hendeku nuk duhet kërkuar te pjesët e bashkëngjitura të protestës, por duhet gjetur te njerëzit dhe konfliktet me përvojën e përditshme”, tha ai.
Rama pranoi se qytetarët janë bërë më pak tolerantë ndaj problemeve me administratën dhe kërkoi nga socialistët që të fokusohen më shumë te perceptimi i njerëzve, duke lënë mënjanë vetëm paraqitjen e statistikave.
“Njerëzit bëhen gjithnjë e më pak tolerantë, sidomos pas përvojave të hidhura me administratën që e derdhën kupën në bulevard. Ai hendek nuk u hap për të qëndruar ashtu, por për t’u mbyllur. Harrojini faktet tona dhe fokusohuni te përjetimi i njerëzve”, deklaroi kryeministri.
Sipas Ramës, mungesa e besimit është një nga problemet kryesore që duhet adresuar nga qeveria.
“Atë e ka hapur rënia e besimit se pritshmëritë e tij do të realizohen dhe fakti më kokëfortë duket si gënjeshtër, por më zi, edhe gënjeshtra më e madhe fillon të duket si e vërtetë”, përfundoi Rama.
Lini një Përgjigje