TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Korrik 2026, 13:34

Shehaj rrëmbeu dokumentin sekret, PS kërkon 60 ditë përjashtim dhe kallëzim në SPAK për deputetin

Shkruar nga Pamfleti
Shehaj rrëmbeu dokumentin sekret, PS kërkon 60 ditë
Momenti kur Shehaj largohet nga Kuvendi me dokumentin

Një përplasje e fortë politike ka shpërthyer në Kuvend pas incidentit të ndodhur këtë të hënë, ku deputeti dhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, akuzohet nga Partia Socialiste se ka marrë me forcë një dokument konfidencial që lidhet me marrëveshjen e huasë ushtarake mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas ngjarjes, grupi parlamentar socialist ka depozituar një kërkesë zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, duke kërkuar përjashtimin e Shehajt nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe komisionet parlamentare për një periudhë 60-ditore. Paralelisht, PS kërkon që çështja të referohet në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), me argumentin se veprimet e deputetit duhen hetuar edhe në aspektin penal.

Sipas shkresës së dorëzuar nga socialistët, incidenti ka ndodhur gjatë procedurës së shqyrtimit të marrëveshjes për huanë direkte mes Shqipërisë dhe SHBA-së, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak. Deputetët, thuhet në dokument, ishin njoftuar paraprakisht se materiali përmbante informacion të klasifikuar dhe se mund të konsultohej vetëm në ambientet e posaçme të Kuvendit, pasi secili prej tyre të firmoste deklaratën e konfidencialitetit.

Sipas versionit të paraqitur nga Partia Socialiste, Agron Shehaj është paraqitur në sallën ku ruhej dokumentacioni dhe ka kërkuar ta merrte me vete kopjen fizike të materialit. Stafi administrativ i Kuvendit, sipas të njëjtës kërkesë, e ka refuzuar këtë kërkesë duke i kujtuar rregullat që ndalojnë nxjerrjen jashtë ambienteve të dokumenteve të klasifikuara.

Por, sipas PS-së, situata ka agravuar në pak çaste. Në shkresë pretendohet se deputeti e ka marrë dokumentin me forcë dhe është larguar nga godina me materialin në dorë, pavarësisht kundërshtimeve të administratës parlamentare.

Socialistët shkojnë edhe më tej në akuzat e tyre. Ata pretendojnë se një këshilltare e Kuvendit, e cila ka tentuar t'i marrë dokumentin dhe ta ndalojë largimin e deputetit, është rrëzuar në shkallët e godinës gjatë ndjekjes, duke pësuar dëmtime fizike.

Në kërkesën zyrtare thuhet se sjellja e Agron Shehajt përbën një akt të përsëritur agresiv dhe të dhunshëm, i cili, sipas PS-së, ka rrezikuar integritetin fizik të punonjëses së administratës së Kuvendit.

"Përmes sjelljeve të tij të dhunshme dhe agresive, deputeti Agron Shehaj ka vënë në rrezik këshilltaren e Kuvendit, e cila është gjendur e pambrojtur përballë këtij veprimi të papranueshëm", citohet në dokumentin e depozituar pranë organeve parlamentare.

Përtej masës disiplinore, Partia Socialiste kërkon që e gjithë ngjarja t'i kalojë për hetim SPAK-ut. Sipas socialistëve, veprimet e deputetit mund të ngrihen në nivelin e përgjegjësisë penale, pasi dyshohet se mund të përfshijnë marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, përvetësimin e dokumenteve zyrtare, pengimin e ushtrimit të detyrës nga funksionarët publikë, si edhe shkeljen e dispozitave që lidhen me mbrojtjen e sekretit shtetëror.

Ngjarja pritet të sjellë përplasje të forta politike në Kuvend, ndërsa mbetet për t'u parë nëse Sekretariati i Etikës do të pranojë kërkesën për përjashtimin 60-ditor të deputetit dhe nëse SPAK do të regjistrojë procedim për të verifikuar pretendimet e ngritura nga mazhoranca.

 

shehaj rrëmbeu dokumentin sekret kallëzim në spak për deputetin

Lini një Përgjigje