Pas akuzave të Ramës, Vetëvendosje reagon ashpër: Nuk e organizojmë ne protestën
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke mohuar çdo përfshirje organizative apo politike në protestat që po zhvillohen prej 23 ditësh në Shqipëri.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Enver Dugolli, deklaroi se subjekti politik që ai përfaqëson nuk ka asnjë lidhje me organizimin e protestës, ndërsa pranoi se ai vetë dhe disa aktivistë të tjerë e mbështesin atë në mënyrë individuale.
“Vetëvendosje nuk ka të bëjë asgjë me këtë protestë. Thjesht ne, disa aktivistë apo eksponentë, solidarizohemi me kërkesat e drejta të qytetarëve dhe me shqetësimet e tyre. Me kaq mbaron. Nuk bëhet fjalë që Vetëvendosja nga Kosova apo nga cilado pjesë tjetër të ketë ndonjë rol të veçantë në këtë protestë”, u shpreh Dugolli.
Ai i kërkoi kryeministrit Rama të shmangë përfshirjen e Vetëvendosjes në debatin mbi protestat dhe të përqendrohet te kërkesat e qytetarëve që po protestojnë.
“Gjuha e përdorur nga Rama për Vetëvendosjen mendoj se nuk i bën nder as atij. Ai duhet të komunikojë me qytetarët e revoltuar të Shqipërisë, të Tiranës, të qyteteve të tjera dhe të mërgatës, të japë llogari dhe të reflektojë ndaj kërkesave të tyre”, tha Dugolli.
Sipas tij, përmendja e Vetëvendosjes në këtë kontekst është e panevojshme, pasi mbështetja e disa individëve lidhet vetëm me solidarizimin ndaj protestuesve dhe jo me një angazhim politik të partisë.
“Kryeministri Rama duhet të komunikojë me protestuesit që prej ditësh po mbushin sheshet dhe rrugët e Tiranës. Kjo protestë nuk po organizohet nga Vetëvendosja, por nga qytetarë të Shqipërisë dhe pjesëtarë të mërgatës që po shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë”, shtoi ai.
Reagimi vjen pasi kryeministri Edi Rama kritikoi pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat e opozitës në Tiranë. Në një postim të publikuar një ditë më parë, ai përmendi edhe anëtarë dhe mbështetës të Vetëvendosjes, duke i cilësuar disa prej tyre si të përfshirë në atë që e quajti “çorbë dreqërish”.
“Nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë përgjegjës Albin Kurtin për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish”, shkroi Rama.
Kryeministri shqiptar kritikoi gjithashtu pjesëmarrjen e protestuesve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke argumentuar se ata nuk mund të konsiderohen pjesë e diasporës së Shqipërisë.
I kërkoj ndjesë shqiptarëve në emër të një kryeministri që fatkeqësisht unë e kam, që nuk ka edukatë e formim kombëtar. E kemi histori të vjetër të gjejmë armiq kudo por jo te vetja.
Nqs eshte e vertet qe ka kosovar dhe maqedonas ne protest me vjen per te vjelle. Ata te rregullojne punet ne vendet e tyre, skemi nevoj per ta.Sjellin vetem coroditje. Shikoni cbehet ne Kosove me zgjidhjet e pafundme.