Vetëvendosje mbetet forca e parë në Kosovë, por rezultati aktual e lë larg shumicës së nevojshme për të qeverisur e vetme
Ish-deputeti Ben Blushi ka reaguar me tone kritike ndaj Albin Kurtit dhe rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë, duke sugjeruar se kreu i Vetëvendosjes ka dalë i dobësuar politikisht nga ky proces.
Përmes një reagimi të shkurtër në rrjetet sociale, Blushi ironizoi ambiciet politike të Kurtit, duke deklaruar se humbësja më e madhe është Kosova.
"Albini kishte qeverinë, kërkoi Presidentin, i humbi të dyja. Çfarë gafe. Kriza vazhdon. Sa keq për Kosovën", shkruan Blushi.
Reagimi vjen në një moment kur rezultatet paraprake tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje mbetet forca e parë politike në vend, por me një rezultat dukshëm më të ulët se ai që do t'i mundësonte formimin e vetme të qeverisë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me mbi 62 për qind të votave të numëruara në Prishtinë, Vetëvendosje kryeson me 49.95%, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.48%, Partia Demokratike e Kosovës me 18.07% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 4.66%.
Ndërkohë, në rang kombëtar, rezultatet paraprake të KQZ-së e nxjerrin Vetëvendosjen forcë të parë me 43.71% të votave, ose 273,716 vota. Pas saj renditet PDK me 21.58%, ndërsa LDK me 17.99%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban vendin e katërt me 7.28%.
Megjithëse mbetet fituesja e zgjedhjeve, Vetëvendosje duket se nuk ka arritur rezultatin që do t'i siguronte e vetme shumicën parlamentare për formimin e qeverisë së ardhshme. Kjo pritet të hapë negociata politike dhe diskutime për koalicione të mundshme në ditët që vijnë.
Sa i mencur eshte ky qerrata, gjithnje sipas kofini pas te vjelit.
Ky eshte nje snob i pa pare qe vuan nga deliri i madheshtise. Ose shkurt koqe kandari.