Një deklaratë e rëndë e ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka shkaktuar reagime të forta, pasi ajo deklaroi publikisht se, po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".
Gjatë një interviste të dhënë për median serbe Kurir, ministrja e qeverisë së Aleksandar Vuçiçit u shpreh: "Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998."
Deklarata ka shkaktuar reagime të shumta, pasi përdor termin "spastrimi etnik" për një periudhë gjatë së cilës forcat serbe kryen krime të rënda ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.
Gjatë luftës së viteve 1998–1999, forcat serbe kryen vrasje, masakra dhe dëbime masive të shqiptarëve të Kosovës. Mbi një milion civilë shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra të tjerë u vranë ose rezultojnë ende të zhdukur.
Deklarata e ministres është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke nxitur reagime dhe kritika për gjuhën e përdorur dhe referimin pozitiv ndaj politikave të Millosheviçit, i cili u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Lini një Përgjigje