TAGS-AT E JAVËS

Kosova 9 Korrik 2026, 18:40

PDK dhe LDK pranojnë ftesën e Kurtit për takim, AAK-ja refuzon

Shkruar nga Pamfleti
PDK dhe LDK pranojnë ftesën e Kurtit për takim, AAK-ja refuzon
Albin Kurti

Ftesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje për takim për të diskutuar për formimin e institucioneve i janë përgjigjur pozitivisht kryetari i PDK-së Bedri Hamza dhe ai i LDK-së Lumir Abdixhiku, ndërkohë që kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka refuzuar takimin.

Kurti, kryeministri në detyrë, i ka ftuar në takim kryetarët e partive që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë, për të diskutuar për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit, në ditën kur ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Pas ftesës së Kurtit PDK-ja ka mbajtur një mbledhje të Kryesisë. Pas mbledhjes Hamza ka thënë se kjo parti e ka më me prioritet adresimin e sfidave të Kosovës sesa ndarjen e posteve.

Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme dhe institucionale. Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se të flasim për pozitat e kam thënë dhe e ripërsëris është tepër e rëndësishme prioritetet, vizioni për të ardhmen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i PDK-së të ketë një numër të caktuar të ministrive, të ketë një kryetar kuvendi, presidentin apo sidoqoftë”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë Gjini, kryetar i Aleancës, ka thënë se nuk e sheh të nevojshëm takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar për formimin e institucioneve. Në një letër publike, Gjini ka thënë Aleanca është e gatshme të ndihmojë në kuorum për zgjedhjen e presidentit po që se Kurti i pranon gjashtë pikat e ofertuara nga AAK-ja.

“Më datën 26 qershor 2026, kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës. Aleanca është e gatshme pa kushte ose kërkesa vetjake të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen president-es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë. Kjo ofertë ka për qëllim që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe, njëkohësisht, të mos e dërgojë vendin edhe njëherë në zgjedhje. Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet në letrën e Gjinit.

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për takim.

Do t’i përgjigjem pozitivisht ftesës. Ky le të jetë një takim i parë, do të provoj të takohem edhe me liderët e partive të tjera për të kuptuar pozicionet e tyre. Shprehim gatishmëri që LDK të jetë pjesë aktive aq sa mundet, brenda parimeve dhe vlerave që i përfaqëson, drejt formimit të institucioneve të reja”, ka theksuar Abdixhiku pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.

kurti aak

Lini një Përgjigje