TAGS-AT E JAVËS

Lifestyle18 Qershor 2026, 18:09

Apple paralajmëron rritje çmimesh për produktet e saj, shkak kosto e lartë e çipave të memories

Shkruar nga Pamfleti

Apple paralajmëron rritje çmimesh për produktet e saj, shkak

Apple po përgatitet të rrisë çmimet e produkteve të saj, pasi kostot e çipave të memories, një komponent kyç në pajisjet teknologjike, janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Lajmi është konfirmuar nga drejtori ekzekutiv i kompanisë, Tim Cook, në një intervistë për Wall Street Journal.

Cook deklaroi se rritjet e çmimeve janë bërë “të pashmangshme”, duke argumentuar se tregu i memories po përballet me një situatë të paqëndrueshme për shkak të mungesës së furnizimit dhe rritjes së fortë të kërkesës.

Megjithëse nuk dha detaje se kur do të hyjnë në fuqi çmimet e reja apo cilat produkte do të preken, Cook la të kuptohet se kompania po përballet me presione të konsiderueshme financiare nga furnitorët e saj. Ende nuk dihet nëse rritja e çmimeve do të ndikojë edhe te iPhone 18, modeli i ri që pritet të prezantohet në shtator.

Sipas kreut të Apple, kompania ka bërë përpjekje për të absorbuar një pjesë të kostove shtesë për të mbrojtur konsumatorët, por rritja e vazhdueshme e çmimeve të memories ka vështirësuar këtë strategji.

“Po bëjmë çmos për të zbutur rritjet e mëdha të kostove që po na transferohen neve dhe kemi tentuar t’i mbrojmë klientët tanë nga këto rritje, por situata është bërë e paqëndrueshme. Ka më pak furnizim në një kohë kur konsumatorët kërkojnë pajisje, ndërsa prodhuesit e memories po aplikojnë rritje të mëdha çmimesh”, deklaroi Cook.

Ai shtoi se kompania ka nevojë që tregu i memories të rikthehet në nivele më të qëndrueshme dhe të përballueshme për industrinë e elektronikës së konsumit.

Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen e kostove është bumi global i inteligjencës artificiale. Zhvillimi i teknologjive AI ka rritur ndjeshëm kërkesën për çipa memorieje dhe komponentë të tjerë gjysmëpërçues, duke ushtruar presion mbi furnizimin global.

Ndërkohë, situata është komplikuar edhe më tej nga tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Lufta në Iran ka ndikuar në furnizimin ndërkombëtar me helium, një gaz thelbësor për prodhimin e gjysmëpërçuesve, duke shtuar kostot e prodhimit të çipave kompjuterikë.

Treguesit e industrisë reflektojnë tashmë këto zhvillime. Çmimi i RAM-it, i konsideruar tradicionalisht si një nga komponentët më të lirë të kompjuterëve, është më shumë se dyfishuar krahasuar me nivelet e mëparshme.

Sipas kompanisë kërkimore Omdia, çmimi mesatar i shitjes së telefonave inteligjentë në nivel global pritet të rritet me rreth 20 për qind gjatë vitit 2026, duke arritur nivelin më të lartë historik.

Analistët parashikojnë gjithashtu se modelet e ardhshme të iPhone mund të kushtojnë deri në 150 dollarë më shumë se iPhone 17, kryesisht për shkak të përmirësimeve harduerike që do të mbështesin funksionet e reja të inteligjencës artificiale.

Apple ka ndërmarrë tashmë disa lëvizje që reflektojnë këtë trend. Më herët gjatë këtij viti, kompania hoqi versionin bazë të kompjuterit Mac Mini, një vendim që solli rritjen e çmimit fillestar të produktit me rreth 200 dollarë.

Tim Cook, i cili do të largohet nga drejtimi i Apple në shtator pas 15 vitesh në krye të kompanisë, do t’ia dorëzojë postin e CEO-s John Ternus, ndërsa sfida e menaxhimit të kostove dhe e ruajtjes së konkurrueshmërisë së produkteve pritet të mbetet një nga çështjet kryesore për drejtuesin e ri.

phone apple

Lini një Përgjigje