Oslo dhe Berlini do të lidhen sërish me tren për herë të parë pas më shumë se dy dekadash, falë një shërbimi të ri hekurudhor direkt që pritet të nisë në vitin 2028.
Projekti është rezultat i bashkëpunimit mes Vy, DSB dhe Deutsche Bahn, duke rikthyer kështu një lidhje ndërkombëtare që mungonte prej vitesh në Europën Veriore.
Shërbimi do të realizohet me trenat modernë ICE L, të cilët do të përshkojnë itinerarin përmes qyteteve kryesore si Hamburg, Kopenhagen, Malmö dhe Göteborg.
Përgjatë rrugës janë parashikuar ndalesa në disa qytete të rëndësishme, përfshirë Moss, Fredrikstad, Sarpsborg, Halden, Trollhättan, Halmstad, Helsingborg, Lund, si edhe në aeroportin e Kopenhagenit dhe stacionin qendror København H. Pas Danimarkës, linja do të vijojë drejt Odense, Kolding, Padborg dhe Hamburgut, për të përfunduar në Berlin.
Sipas operatorit Vy, udhëtimi nga Oslo në Kopenhagen do të zgjasë rreth shtatë orë, ndërsa itinerari i plotë Oslo–Berlin do të marrë afërsisht 15 orë.
Kjo linjë shënon rikthimin e parë të një lidhjeje direkte hekurudhore mes Norvegjisë dhe Danimarkës pas më shumë se 20 vitesh. Shërbimi pritet të funksionojë dy herë në ditë në të dy drejtimet duke filluar nga vera e vitit 2028, ndërsa oraret dhe çmimet do të publikohen më afër datës së nisjes.
Drejtori ekzekutiv i Vy, Gro Bakstad, e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve të Norvegjisë me Europën dhe për krijimin e mundësive të reja për linja direkte me qytete të tjera europiane.
Ndërkohë, Michael Peterson theksoi se udhëtimi me tren po bëhet gjithnjë e më shumë një alternativë e fortë ndaj makinave dhe avionëve, veçanërisht në kushtet e rritjes së çmimeve të karburanteve dhe kërkesës për transport më të qëndrueshëm.
Lini një Përgjigje