Didier Deshamp ka drejtuar për herë të fundit kombëtaren e Francës në ndeshjen për vendin e tretë të Kupës së Botës 2026, duke i dhënë fund një aventure 14-vjeçare në stolin e "Gjelave". Edhe pse Botërori nuk përfundoi ashtu siç kishte shpresuar, tekniku francez theksoi se vendimi për t'u larguar ishte marrë ekskluzivisht në interes të ekipit kombëtar.
Në një intervistë për "M6", menjëherë pas sfidës ndaj Anglisë, Deshamp shpjegoi arsyet që e shtynë të mbyllte ciklin e tij.
"Kombëtarja franceze është mbi gjithçka. Ajo nuk më përket mua. Kam qenë në shërbim të saj për 14 vjet dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo fanellë.Vendosa se kishte ardhur momenti të mbyllej ky kapitull. Dhe po jua them me sinqeritet, ky nuk ishte një vendim për të mirën time, por për të mirën e kombëtares franceze. Mjedisi ishte bërë shumë i vështirë për mua dhe kombëtarja nuk e meritonte një situatë të tillë.
Ky nuk ishte një vendim i marrë brenda natës. E kisha menduar prej kohësh. Mund ta kisha bërë para Kupës së Botës ose edhe gjatë saj, por nuk doja, sepse kam shumë respekt për ekipin francez."
Trajneri 57-vjeçar foli edhe për të ardhmen e tij, duke lënë të hapur mundësinë për të drejtuar një klub ose një tjetër kombëtare, por bëri të ditur se nuk do të komentojë më zhvillimet te Franca.
"Kam dy mundësi për të ardhmen: të drejtoj një klub ose një ekip kombëtar. Të dyja janë të mundshme. Por kam vendosur t'i përmbahem një detyrimi për diskrecion. Duke nisur nga kjo mbrëmje, nuk do të flas më për kombëtaren franceze."
Me këtë qëndrim, Deshamp synon të mos ushtrojë asnjë lloj presioni mbi pasardhësin e tij, Zinedin Zidan, i cili pritet të marrë drejtimin e Francës.
Lini një Përgjigje