TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Qershor 2026, 15:47

Në pritje të sezonit 2026-2027, prezantohen risitë kryesore të kalendarit të ri të Serisë A

Shkruar nga Pamfleti
Në pritje të sezonit 2026-2027, prezantohen risitë kryesore
Seria A

Kanë mbetur edhe pak orë nga publikimi i kalendarit të Serisë A për sezonin 2026-2027. Liga italiane do të prezantojë zyrtarisht programin e kampionatit të ardhshëm të premten, më 5 qershor, ndërsa algoritmi që do të përcaktojë 38 javët e sezonit do të bazohet në katër risi të rëndësishme organizative.

Sezoni i ri i Serisë A do të nisë më 23 gusht 2026 dhe do të përfundojë në fundjavën e 30 maj 2027. Kalendarit do t’i duhet të përshtatet me ndryshimet në programin e ndeshjeve të kombëtareve, ku ndërprerja e parë do të sjellë mungesën e dy javëve kampionat, më 27 shtator dhe 4 tetor. Dy pauzat e tjera ndërkombëtare do të zhvillohen sipas formatit tradicional, në mesin e nëntorit dhe në fund të marsit.

Ndërkohë, janë parashikuar edhe dy javë ndeshjesh në mesjavë, konkretisht më 28 tetor 2026 dhe më 6 janar 2027. Kampionati do të ndalet gjithashtu gjatë festave të fundvitit, me pushim të planifikuar për datat 26 dhe 27 dhjetor.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me koordinimin e kalendarit me eventet madhore sportive që zhvillohen në Itali. Pas situatës së krijuar sezonin e kaluar, kur derbi i Romës u luajt paralelisht me turneun Masters 1000 në Foro Italico, organizatorët kanë vendosur të marrin në konsideratë edhe ATP Finals në Torino dhe Internazionali d’Italia në Romë.

Për këtë arsye, gjatë zhvillimit të këtyre turneve nuk do të programohen derbet e qyteteve përkatëse, konkretisht Juventus-Torino në Torino dhe Lazio-Roma në kryeqytet. Gjithashtu, derbet nuk do të zhvillohen as në dy javët e fundit të kampionatit, përkatësisht në javën e 37-të dhe të 38-të.

Një tjetër risi ka të bëjë me skuadrat që marrin pjesë në kompeticionet evropiane. Ekipet e angazhuara në Champions League, Europa Ligë dhe Konferencë Ligë nuk do të mund të përballen mes tyre në javët që ndodhen mes dy raundeve radhazi të ndeshjeve evropiane, me synimin për të shmangur mbingarkesën e kalendarit.

Kalendari i plotë i Serisë A 2026-2027 do të prezantohet zyrtarisht të premten, më 5 qershor, në orën 18:30, në Teatrin Regio të Parmës, në kuadër të Festivalit të Serisë A.

seria a sezoni i ri

Lini një Përgjigje