Trajneri i kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, u shfaq i qetë pas fitores dramatike 2-1 ndaj Japonisë në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026. Tekniku italian theksoi se nuk e kishte vënë asnjëherë në dyshim skuadrën e tij dhe se "Seleçao" po vazhdon të përmirësohet nga ndeshja në ndeshje.
“Gjatë pjesës së parë u thashë lojtarëve të ishin të duruar, sepse herët a vonë do të shënonim. E rëndësishme ishte të ruanim strukturën tonë. E dimë që jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë kështu”, deklaroi tekniku italian pas ndeshjes.
Brazili e pa veten në disavantazh pas golit të Kaishu Sano në pjesën e parë, ndërsa paraqitja jo bindëse krijoi përshtypjen se pesë herë kampionët e botës mund të rrezikonin eliminimin. Megjithatë, Casemiro riktheu ekuilibrin në rezultat, ndërsa Gabriel Martinelli, i futur nga stoli, realizoi golin e fitores në minutat shtesë.
Ancelotti vlerësoi se ndryshimet taktike të bëra në pushimin mes dy pjesëve luajtën një rol vendimtar në përmbysjen e rezultatit.
“Në fillim u përpoqëm të krijonim epërsi në mesfushë, por nuk funksionoi sepse ata mbronin shumë ngushtë. Në pjesën e dytë ndryshuam qasjen, luajtëm më shumë në thellësi dhe qarkulluam topin më mirë në fazën sulmuese. Në fillim e kishim të vështirë të gjenim hapësira, por më pas e zgjidhëm këtë problem shumë mirë”, u shpreh ai.
Trajneri italian zbuloi gjithashtu se kishte planifikuar të aktivizonte Neymarin në rast se Brazili nuk do të arrinte të barazonte rezultatin.
“I thashë Neymarit se nëse nuk barazonim deri në një moment të caktuar, do ta fusja në fushë”, tha Ancelotti.
Megjithatë, 34-vjeçari vazhdon të ketë një rol të kufizuar në këtë edicion të Kupës së Botës. Deri më tani, Neymar ka luajtur vetëm 15 minuta si zëvendësues në ndeshjen kundër Skocisë, në një moment kur fitorja e Brazilit ishte siguruar tashmë.
Lini një Përgjigje