Meksika e ka nisur me sukses rrugëtimin e saj në Kupën e Botës 2026, duke triumfuar 2-0 ndaj Afrikës së Jugut në stadiumin legjendar “Azteca”.
Në qendër të vëmendjes ishte sulmuesi veteran Raul Himénez, i cili në moshën 35-vjeçare realizoi golin e tij të parë në një Kampionat Botëror. Në paraqitjen e katërt në këtë kompeticion, ai vulosi fitoren e skuadrës me një goditje të saktë me kokë pas asistimit të Roberto Alvarados, duke përjetuar një nga momentet më emocionuese të karrierës së tij.
Me këtë realizim, Himenez arriti në kuotën e 46 golave me fanellën e Meksikës, duke barazuar Zhared Borgetin në vendin e dytë të golashënuesve më të mirë në historinë e kombëtares. Rekordi vazhdon të mbahet nga Havier “Chicharito” Hernández me 52 gola.
Goli ka një domethënie të veçantë për sulmuesin meksikan, i cili në vitin 2020 kaloi një nga momentet më të vështira të jetës dhe karrierës së tij. Gjatë një ndeshjeje mes Ullverhemptonit dhe Arsenalit, Himenez pësoi një dëmtim të rëndë në kafkë, që i shkaktoi frakturë dhe gjakderdhje në tru, duke vënë në rrezik jo vetëm karrierën sportive, por edhe jetën e tij.
Pas një periudhe të gjatë rehabilitimi dhe rikuperimi, ai arriti të rikthehej në nivelet më të larta të futbollit. Goli ndaj Afrikës së Jugut përfaqëson një dëshmi të qartë të forcës, vendosmërisë dhe këmbënguljes së tij, ndërsa Himenez vazhdon të shkruajë historinë me fanellën e kombëtares meksikane.
Lini një Përgjigje