Andrea Pirlo pritet të zyrtarizohet si trajneri i ri i kombëtares së Italisë të hënën ose të martën, ndërsa detajet e kontratës katërvjeçare me pagë prej 1.5 milionë eurosh në sezon tashmë janë dakorduar.
Kandidatura e tij ka ndezur menjëherë polemika, edhe pse zyrtarizimi ende nuk ka ardhur.
Në qendër të debatit nuk është karriera e tij si trajner, por bashkëpunimi me “Fonbet”, një kompani ruse bastesh, ku ish-mesfushori italian mban rolin e ambasadorit global. Kritikët shtrojnë pyetjen nëse një figurë që pritet të përfaqësojë Italinë në arenën ndërkombëtare duhet të ketë lidhje promovuese me një markë që operon në Rusi, në një kohë kur vendi vazhdon të jetë nën sanksione për shkak të luftës në Ukrainë.
Sipas raportimeve, ky bashkëpunim lidhet edhe me faktin se Pirlo drejton Junajtid FC në Emiratet e Bashkuara Arabe, klubi i të cilit drejtohet nga Sergej Lomakin, biznesmen me interesa të rëndësishme në kompaninë ruse të basteve.
Polemikat u shtuan kur “Fonbet” e paraqiti marrëveshjen me Pirlon si një dëshmi se, pavarësisht izolimit ndërkombëtar të Rusisë, kompania ishte ende në gjendje të tërhiqte emra të mëdhenj të sportit botëror. Situata u bë edhe më e ndjeshme pas pjesëmarrjes së italianit në aktivitetin "Football Day" në Moskë, në kulmin e konfliktit në Ukrainë.
Prania e tij në këtë event u kritikua ashpër nga figura të ndryshme sportive, mes tyre edhe skeletonisti ukrainas Vladislav Heraskeviç, i cili e konsideroi të papërshtatshëm vendimin e Pirlos për të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga kjo kompani.
Megjithatë, duhet theksuar se Pirlo nuk ka shkelur asnjë ligj. Si profesionist, ai ka qenë i lirë të nënshkruajë marrëveshje sponsorizimi dhe të menaxhojë imazhin e tij. Debati lidhet më shumë me aspektin etik dhe institucional të rolit që pritet të marrë.
Nëse emërimi i tij në krye të "Axurrëve" zyrtarizohet, çështja pritet të zgjidhet automatikisht, pasi rregulloret nuk lejojnë që trajneri i kombëtares italiane të jetë njëkohësisht nën kontratë me kompani bastesh. Si rrjedhojë, bashkëpunimi i Pirlos me “Fonbet” do të përfundojë me marrjen e detyrës së re.
Për momentin, diskutimi mbetet i hapur: a mjafton ndërprerja e kontratës për të mbyllur polemikat, apo lidhja e mëparshme me kompaninë ruse do të vazhdojë të shoqërojë figurën e Andrea Pirlos edhe si trajner i Italisë?
Lini një Përgjigje