Lionel Mesi përjetoi emocione të forta në ndeshjen debutuese të Argjentinës kundër Algjerisë, ku shkëlqeu me një tripletë historike në prag të 39-vjetorit të lindjes së tij.
Menjëherë pas golit të parë, kapiteni argjentinas nuk arriti t’i mbante lotët, duke fshirë sytë me fanellë. Emocionet e tij u reflektuan edhe në pankinë, ku trajneri Lionel Skaloni u pa po aq i prekur nga momenti.
Pas ndeshjes, Mesi sqaroi se reagimi i tij emocional nuk kishte lidhje me futbollin apo me arritjet personale në fushë.
“Qava pas golit të parë, por ishte diçka krejtësisht jashtë futbollit. Kam kaluar disa ditë të vështira. I jam mirënjohës të gjithë delegacionit dhe shokëve të skuadrës, sepse kanë qenë gjithmonë pranë meje dhe më kanë dhënë shumë forcë”, deklaroi ai në konferencën për shtyp.
Ylli i Argjentinës zbuloi gjithashtu se gjatë kësaj periudhe ka ndjekur një dokumentar kushtuar legjendës së tenisit, Rafael Nadal, të cilin e konsideron një shembull frymëzues të qëndrueshmërisë dhe rezistencës përballë vështirësive.
Sipas raportimeve të mediave argjentinase, periudha e vështirë e përmendur nga Mesi mund të lidhet me dëmtimin që ai pësoi në fund të muajit maj, një problem që ngriti pikëpyetje mbi gatishmërinë e tij fizike për Kupën e Botës.
Megjithatë, sulmuesi u rikthye si titullar dhe dha menjëherë sinjale pozitive, duke udhëhequr Argjentinën me tre gola. Pas realizimit të parë, ai duket se la pas shqetësimet e javëve të fundit për t’u fokusuar te turneu, që pritet të jetë Botërori i fundit në karrierën e tij.
Lini një Përgjigje