TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Korrik 2026, 12:02

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore, ku ndër të tjera veçojmë:

Departamenti Amerikan i Shtetit ka kërkuar informacion për grupet e ekstremit të majtë në disa vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Një kabllogram diplomatik u është dërguar 20 ambasadave amerikane, si pjesë e një nisme të administratës Trump për monitorimin e organizatave që konsiderohen kërcënim transnacional.

Në Shqipëri, fondi prej 4 milionë eurosh për koncertin e Kanye West ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Adriatik Lapaj kërkon shfuqizimin e aktit normativ të qeverisë dhe pezullimin e pagesave, duke pretenduar se vendimi favorizon një subjekt të caktuar dhe cenon barazinë para ligjit.

Në kronikën e zezë, policia ka zbardhur atentatin në Laç ku u vra Ilir Lika. Autori i dyshuar është identifikuar si Emiljan Suti, ndërsa viktima u qëllua me të paktën shtatë plumba pranë banesës së tij. Hetimet po përqendrohen te e kaluara e viktimës dhe konfliktet e mundshme.

Prokuroria ka mbyllur hetimet për vrasjen e Egli Progës në Pogradec dhe ka dërguar për gjykim pesë persona. Dy prej tyre akuzohen për vrasje me dashje, ndërsa tre të tjerë për moskallëzim krimi dhe pengim të hetimeve. Ekspertiza konfirmoi se Proga humbi jetën nga një goditje me grusht.

Në Shkodër dalin detaje të reja nga vrasja e Bardhe Ziçit, ku bashkëshorti i saj dyshohet se e qëlloi me armë pas një konflikti të lidhur me xhelozinë. Mbrojtja pretendon se ngjarja ishte aksidentale, ndërsa policia vijon hetimet.

Prokuroria e Beratit ka kërkuar masa sigurie për 11 persona të dyshuar për këmbim valutor pa licencë. Gjatë kontrolleve u sekuestruan miliona lekë dhe valuta të huaja.

Në arenën ndërkombëtare, një operacion i madh në Ekuador goditi një rrjet të trafikut të kokainës me lidhje europiane, ku u arrestua edhe një shqiptar i dyshuar si ndërmjetës mes grupeve kriminale.

Ndërkohë, shqiptarët rezultojnë se paguajnë më shtrenjtë për telefoninë dhe internetin se mesatarja e Bashkimit Europian. Në Spanjë, një zjarr masiv pyjor ka lënë 11 viktima dhe dhjetëra persona të zhdukur.

Në politikën botërore, Marine Le Pen kryeson sondazhet për zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2027, ndërsa Andy Burnham shihet favorit për drejtimin e Partisë Laburiste në Britani. Lindja e Mesme mbetet në tension, me përplasje të reja mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa në sport Franca eliminoi Marokun dhe siguroi një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Botës.

edicioni i lajmeve

Lini një Përgjigje