TAGS-AT E JAVËS

Sport10 Korrik 2026, 14:40

Sekreti i mbrojtjes së padepërtueshme të Spanjës; pse ende nuk ka pësuar asnjë gol në Kupën e Botës

Shkruar nga Pamfleti
Sekreti i mbrojtjes së padepërtueshme të Spanjës; pse ende
Kombëtrja e Spanjës nuk ka pësuar ende asnjë gol në këtë Botëror

Spanja nuk është, në letër, një skuadër me profil mbrojtës. Përkundrazi, synimi i saj është që pothuajse të gjithë lojtarët e fushës ta kalojnë ndeshjen në gjysmën e kundërshtarit. Është një mënyrë loje me rrezik të lartë, sepse një gabim i vetëm mund t'i japë kundërshtarit hapësira të mëdha për të sulmuar portën spanjolle.

Madje edhe portieri Unai Simón, që aktivizohet te Athletic Bilbao, nuk konsiderohet nga shumëkush si portieri më i mirë spanjoll.

Megjithatë, "La Roja" ka ndërtuar mbrojtjen më solide të këtij Botërori. Para çerekfinales ndaj Belgjikës, Spanja nuk kishte pësuar asnjë gol në pesë ndeshje. Në fakt, Simón kishte arritur 609 minuta pa pësuar gol në Kupën e Botës që nga viti 2022, një rekord historik i turneut.

Mbrojtja është edhe arsyeja kryesore pse Spanja ka mbetur e pamposhtur në 35 ndeshje.

Filozofia mbrojtëse e Spanjës mbështetet mbi një ide të thjeshtë. Siç shprehej Johan Cruyff, njeriu që revolucionarizoi futbollin modern dhe veçanërisht versionin spanjoll të tij:

"Ekziston vetëm një top. Nëse e kemi ne, ata nuk mund të shënojnë."

Gjithçka nisi me Johan Cruyff

Historia fillon me Johan Cruyff. Legjenda holandeze luajti për Barcelonën gjatë viteve 1970 dhe, kur u rikthye si trajner në vitin 1988, vendosi që të gjitha ekipet e klubit, nga grupmoshat U10 deri te skuadra e parë, të luanin me të njëjtin stil.

Skuadrat e tij mbronin shumë lart në fushë dhe ushtronin presion menjëherë sapo humbnin topin.

Cruyff solli edhe një ushtrim stërvitor që sot vazhdon të jetë pjesë e përditshme e Barcelonës: rondo, loja ku disa futbollistë shkëmbejnë pasime në një hapësirë të kufizuar ndërsa kundërshtarët përpiqen ta ndërpresin topin.

Dikur klubet rivale talleshin me Barcelonën duke thënë:"Barcelona nuk stërvitet fare. Ata vetëm luajnë lojëra të vogla."

Me kalimin e kohës, shumica e skuadrave e përvetësuan këtë metodë.

"Rondo" përmbledh thelbin e futbollit sipas Cruyff, kohën, hapësirën, pasimin dhe gjeometrinë.

Pep Guardiola, nxënësi më i mirë i Cruyff

Në akademinë "La Masia", Cruyff zbuloi një 17-vjeçar që nuk ishte i fortë në duelet fizike dhe, sipas vetë trajnerit holandez, "vraponte si gjyshja ime".

Por ai djalosh, Josep "Pep" Guardiola, kishte një cilësi të rrallë: lexonte lojën më mirë se kushdo.

Ai u bë nxënësi më besnik i Cruyff.

"Nuk dija asgjë për futbollin derisa takova Cruyff", do të thoshte Guardiola vite më vonë.

Më pas ai u shndërrua në trajnerin më ndikues të këtij shekulli, duke modernizuar dhe përhapur në mbarë botën filozofinë e mentorit të tij.

Edhe mbrojtja e Spanjës sot është ndërtuar mbi të njëjtat parime.

Kjo shpjegon edhe pse Barcelona, klubi që mishëron më shumë filozofinë e Cruyff, ka prodhuar rreth gjysmën e titullarëve aktualë të kombëtares spanjolle, ndërsa futbolli bask ka dhënë trajnerin Luis de la Fuente dhe disa lojtarë të tjerë.

Në skuadër ndodhet vetëm një futbollist i Real Madridit.

Topi është mbrojtja më e mirë

Në filozofinë spanjolle, zotërimi i topit përbën pothuajse të gjithë lojën.Barcelona e Guardiolës synonte ta mbante topin rreth dy të tretat e kohës.

Mesatarja e Spanjës në këtë Kupë Bote është pikërisht 66 për qind, më e larta mes të gjitha skuadrave pjesëmarrëse.

Në Barcelonë ekziston një shprehje:"Ka vetëm dy lloje skuadrash: ato që organizohen rreth topit dhe ato që çorganizohen duke e ndjekur atë."
Pikërisht për këtë arsye, pothuajse çdo futbollist spanjoll duket si mesfushor.

Madje Spanja prodhon aq pak mbrojtës specialistë, sa u detyrua të natyralizonte Aymeric Laporte, francezin që u transferua në Spanjë në moshën 16-vjeçare, për ta aktivizuar me kombëtaren.

Sulm i ngadaltë, mbrojtje perfekte

Spanja nuk synon kundërsulme të shpejta.Skuadra avancon si një bllok kompakt, duke shkëmbyer vazhdimisht pasime dhe duke mbajtur distanca shumë të vogla mes reparteve.

Idealisht, diferenca mes mbrojtësit të fundit dhe sulmuesit më të avancuar nuk duhet të kalojë 35 metra.

Rodri, që luan si "pivote" në qendër të mesfushës, ka detyrën të ruajë këtë ekuilibër.

Heqja dorë nga kundërsulmet e shpejta e bën më të vështirë shënimin e golave.

Përveç fitores 4-0 ndaj Arabisë Saudite, Spanja ka realizuar vetëm pesë gola në katër ndeshje.

Skuadra aktuale kujton kampionët e botës të vitit 2010, të njohur për stilin "tiki-taka", të cilët shënuan vetëm tetë gola në shtatë ndeshje, por pësuan vetëm dy.

Presioni që nuk të lë të marrësh frymë

Ashtu si në vitin 2010, edhe sot, sapo humbet topin, e gjithë skuadra spanjolle ndodhet shumë pranë njëra-tjetrës.

Kjo e bën presionin jashtëzakonisht efektiv.

Mesatarisht, Spanja e rikuperon topin vetëm 11.57 sekonda pasi e humbet, koha më e shpejtë ndër skuadrat e mbetura në turne.

Për shkak se mbrojtësit luajnë shumë lart, çdo kundërshtar që tenton të depërtojë në gjysmën spanjolle shpesh bie në pozicion jashtë loje.

Kurthi i ofsajdit i Spanjës ka funksionuar 18 herë në këtë Botëror, më shumë se çdo ekip tjetër.

Roli i veçantë i Unai Simón

Portieri Unai Simón është praktikisht përgjegjës për të gjithë gjysmën e tij të fushës.

Ai del shpesh larg portës për të luajtur si mbrojtësi i fundit.

Për këtë arsye ai është zgjedhur më shumë për aftësitë me topin dhe organizimin e mbrojtjes sesa vetëm për pritjet.

Ndërkohë, David Raya i Arsenalit, i shpallur portieri më i mirë i Premier League për tre sezone radhazi, qëndron në stolin e rezervave.Në këtë Botëror, Simón ka pasur nevojë të presë mesatarisht vetëm një goditje në portë për ndeshje.

"La Roja" ka lejuar vetëm pesë goditje në kuadrat në pesë ndeshje, ndërsa kundërshtarët kanë prekur topin vetëm 41 herë brenda zonës së penalltisë spanjolle, shifra më e ulët e turneut.

Kur Spanja kalon në avantazh

Kur Spanja shënon e para, kundërshtarët rrallë arrijnë të barazojnë.

Arsyeja është e thjeshtë, ekziston vetëm një top dhe zakonisht ai është në zotërimin e spanjollëve.

Ata vazhdojnë të qarkullojnë topin në një "rondo" të pafund, sikur të ishin ende në stërvitje në fushat me diell të akademisë "La Masia".

Përballë kësaj mënyre loje, kundërshtarët shpesh humbasin durimin.

Uruguai, ndërsa ishte në disavantazh 1-0, përfundoi duke goditur lojtarët spanjollë më shumë sesa topin.

Ekziston edhe një mënyrë tjetër për të mbrojtur rezultatin.

Është ajo që përdorën Anglia kundër Meksikës dhe Egjipti ndaj Argjentinës: tërheqja e plotë në zonën e tyre dhe largimi i çdo topi me ndërhyrje, goditje me kokë apo spastrime.

Kur funksionon, kjo strategji duket heroike.

Por mbrojtësit e Spanjës nuk janë ndërtuar për të luajtur në atë mënyrë.

Për ta, forma më e mirë e mbrojtjes mbetet një dhe e vetme: zotërimi i topit./ Financial Times

sekreti i asnjë gol në kupën e botës

Lini një Përgjigje