Real Madrid ka zyrtarizuar transferimin e Marc Cucurellës nga Chelsea, duke siguruar shërbimet e një prej mbrojtësve të majtë më të vlerësuar në futbollin europian.
Klubi madrilen njoftoi të hënën arritjen e marrëveshjes me 27-vjeçarin spanjoll, i cili ka firmosur një kontratë gjashtëvjeçare. Sipas raportimeve, operacioni i ka kushtuar Real Madridit rreth 60 milionë euro.
Transferimi i Cucurellës konsiderohet si goditja e parë e madhe e merkatos për klubin madrilen pas emërimit të Jose Mourinhos në stolin e skuadrës dhe rizgjedhjes së Florentino Perez në krye të klubit. Presidenti i Realit ka bërë të ditur se synon të forcojë më tej ekipin, me emra si Ibrahima Konate i Liverpoolit dhe Denzel Dumfries i Interit që vazhdojnë të përmenden si objektiva të merkatos.
Cucurella mbërrin në “Santiago Bernabeu” pas tre sezonesh te Chelsea, ku u transferua në vitin 2022 nga Brighton. Gjatë kësaj periudhe ai u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës londineze, ndërsa me kombëtaren e Spanjës kontribuoi në triumfin në Kampionatin Europian 2024.
Në momentin e zyrtarizimit të transferimit, Cucurella ndodhej me përfaqësuesen spanjolle në Kupën e Botës që po zhvillohet në Amerikën e Veriut, ku Spanja përgatitet për ndeshjen e parë në grup ndaj Kepit të Gjelbër.
Largimi i mbrojtësit vjen në një periudhë të vështirë për Chelsea, që po përballet me presion për të shitur disa nga lojtarët kryesorë pas dështimit për t’u kualifikuar në kompeticionet europiane për sezonin e ardhshëm.
Cucurella kishte tërhequr vëmendje edhe për deklaratat e tij në muajin mars, kur kritikoi vendimin e klubit londinez për të shkarkuar trajnerin Enzo Maresca gjatë sezonit. Futbollisti kishte deklaruar se largimi i teknikut kishte ndikuar negativisht te skuadra dhe se ndryshime të tilla duhet të bëhen vetëm pas përfundimit të kampionatit.
Mbrojtësi spanjoll është produkt i akademisë së Barcelonës dhe gjatë karrierës së tij ka luajtur gjithashtu për Eibar, Getafe dhe Brighton, përpara se të transferohej te Chelsea dhe tashmë te rivali i madh i katalanasve, Real Madrid.
Lini një Përgjigje