
Guri Dashi humbi jetën në rrugën Peqin-Elbasan për mungesë sigurie; kompania me 110 milionë euro tenderë dhe lidhje politike nuk është hetuar ende nga SPAK
Inxhinieri Guri Dashi humbi jetën në kantierin e Peqinit, ndërsa kompania “Alb-Building” tentoi të fshehë ngjarjen. Pëllumb Beta dhe Odhise Bresha, ortakë me lidhje të njohura me Gramoz Ruçin, kanë përfituar tenderë publikë dhe janë dënuar për pastrim parash, por asnjëherë nuk janë hetuar penalisht.
Më 24 tetor 2025, gjatë montimit të trarëve te ura e re në kantierin e rrugës Peqin-Elbasan, humbi jetën inxhinieri Guri Dashi, drejtues i punimeve në kompaninë “Alb-Building Sh.p.k”. Ai ra nga ura për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në punë. Kolegjët dhe familjarët e tij deklaruan se kompania nuk siguron masat bazë të mbrojtjes në asnjë projekt ndërtimi.
Dy ortakët e kompanisë, Pëllumb Beta dhe Odhise Bresha, tentuan të fshehin ngjarjen dhe, sipas burimeve, kërkuan të blinin heshtjen e familjes me ndërmjetës financiarë. Ndërkohë, policia dhe Inspektorati i Punës heshtën, pavarësisht detyrimit ligjor për hetim të menjëhershëm. Burime brenda sektorit të ndërtimit pohojnë se Beta dhe Bresha kanë lidhje të drejtpërdrejta financiare me ish-kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, përmes ortakërive të padeklaruara në “Alb-Building”.
Pas denoncimit publik të familjes, policia e Peqinit nisi procedimin pas dy ditësh, por raporti zyrtar ia atribuon vdekjen pakujdesisë së inxhinierit, duke shmangur përgjegjësinë e pronarëve. Në vend të tyre, u arrestua vetëm drejtuesi teknik E. H., për moszbatim të rregullave të sigurisë në punë.
Gjatë 12 viteve të qeverisjes së Partisë Socialiste, kompania “Alb-Building Sh.p.k.” ka përfituar 110 milionë euro tenderë publikë, të gjithë me “flamur të kuq” për mungesë gare dhe përfitim maksimal të fondeve limit. Po e njëjta kompani ka marrë në menaxhim 9 koncesione për ndërtimin e hidrocentraleve.

Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave e ka gjobitur kompaninë me 10 milionë lekë dhe e ka referuar në Prokurori për refuzim deklarimi të të dhënave që lidhen me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim që prej dhjetorit 2011. Megjithatë, Gjykata e Lartë, me vendim nr. 5086, datë 7 dhjetor 2023, ka lënë në fuqi dënimin ndaj pronarëve të “Alb-Building”.
Këto të dhëna, bashkë me vendimin gjyqësor dhe historikun e tenderëve, përbëjnë indicie serioze për hetim nga SPAK mbi rrjetin e financimit politik dhe korrupsionit që qëndron pas kompanisë “Alb-Building Sh.p.k.”./Pamfleti
Lini një Përgjigje