TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë26 Maj 2025, 10:37

DEA në Tiranë, Olsi i qetë: dosjet nuk guxojnë të hapen

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

DEA në Tiranë, Olsi i qetë: dosjet nuk guxojnë të hapen
Olsi Rama /

Pavarësisht dëshmive publike dhe informacionit të përsëritur për përfshirjen e Olsi Ramës në çështjen Xibraka, drejtësia shqiptare hesht. DEA kërkon informacione, por nuk guxon të përmendë emrin e vëllait të kryeministrit. Dhe mbreti, si zakonisht, nuk lëviz...

Dy vite më parë, DEA zbarkoi në Tiranë me zhurmë, premtime dhe me planin ambicioz për të shpartalluar rrjetet e drogës, pastrimit të parave dhe trafikut ndërkombëtar.
Thirrjet ishin të qarta: bashkëpunim me institucionet shqiptare, denoncime nga qytetarët, dhe veprime të koordinuara për të rrëzuar bosët.
Për një çast, gjithçka dukej se po shkonte drejt një “eksporti të drejtësisë amerikane” në një vend ku prej dekadash, ligji ka funksionuar si filtër për miqtë dhe kurth për armiqtë.

Por realiteti shqiptar është më kompleks.
Spiunët vendas, që në vend të idealit kanë aventurën, hakmarrjen dhe ndonjë biletë për të shpëtuar lëkurën, u mblodhën rrotull DEA-s si patriotë dixhitalë.
Informacionet nisën të derdhen me zell, për çdo fshat, një dosje. Për çdo trafikant, një skemë. Për çdo ministër, një “çantë”.
Por dosjet filluan të ngjajnë më shumë me romane të lëna përgjysmë, se sa me kallëzime penale.

Sepse në qendër të shumicës së informacioneve, qëlluan në një pikë të vetme: Olsi Rama.
Vëllai i kryeministrit.
Njeriu që, sipas vetë deklaratës së tij publike, ka udhëtuar me makinën e trafikantëve të Xibrakës.
Por ndërkohë, sistemi TIMS nuk e ka regjistruar kurrë kalimin e tij. SPAK nuk e ka marrë në pyetje kurrë. Drejtësia shqiptare e ka kthyer në metaforë.

Në një vend ku gjithçka lexohet “figurativisht” dhe “politikisht”, Olsi është simbol i imunitetit absolut.
Ai nuk është as qytetar i zakonshëm, as politikan. Është “një pasaportë e bardhë” që kalon çdo doganë pa gjurmë, çdo hetim pa pyetje, çdo media pa përgjigje.

Ndërkohë, DEA, edhe pse e pranishme, nuk ka thënë asnjë fjalë për sabotimin institucional të një dosjeje që ndodhet midis Tiranës dhe Selanikut.
Ka thirrur, ka ftuar, ka vendosur email dhe numër WhatsApp publik:

“Kush ka informacion për trafikun e drogës, kontaktoni këtu…”

Por, kur gjithë informatorët kanë shkuar në një derë që nuk hapet; SPAK, dhe kanë gjetur heshtje, zhgënjimi është i ndërsjellë.
DEA është zhgënjyer nga sistemi që e toleron vëllain e kryeministrit.
Ndërsa informatorët janë zhgënjyer që këmbët e mbretit nuk lëvizin kurrë, dhe në këtë shah të drejtësisë bien vetëm ushtarë, kuaj dhe ndonjë oficer.

Sot, Olsi është i qetë.
Dosjet flenë.
Drejtësia s’bëzan.
DEA hesht.
Dhe qytetarët mësohen çdo ditë me idenë se ligji në këtë vend ka emër dhe mbiemër, dhe ai varet nga mbiemri i kryeministrit./Pamfleti

olsi i qetë dea në tiranë

Lini një Përgjigje