
Sulltani i Surrelit e di që pushteti nuk mbahet më me vota, por me kontroll mbi drejtësinë.
Shpata që i është dhënë Altin Dumanit nuk është prej hekuri. Nuk është as prej kushtetute, as prej drejtësie. Është një shpatë e printuar në internet, e lehtë për t’u valëvitur në konferenca shtypi dhe e padobishme në duel real me klanet mafioze.
Në fillim, Babloku bëri disa eksperimente. E nisi me fshesë, siç e urdhëroi Yuri Kim. E përdori fshesën për të larë korridoret e veta. Pastaj, me kalimin e kohës, e bëri furçë. Furçë për të fshirë gjurmët. E kur pushteti i duhej i pastër në letër, e printoi si shpatë. Dhe ia dha Dumanit.
Jo për të prerë krimin, por për të simuluar betejën.
Sot, drejtësia ka në dorë një armë false. Dhe Dumani është dërguar në betejë kundër katër klaneve mafioze, që nuk i pengon më as frika, as ligji, as ndërkombëtarët. Ata ecin mes nesh, të larë me investime strategjike, të ndriçuar nga paratë publike dhe të bekuar nga noteri i Surrelit.
Babloku e di që shpata nuk pret. Por ai nuk ka interes të luftojë realisht. Ai ka interes të menaxhojë perceptimin. Të prodhojë imazhe: një kryeministër që mbështet drejtësinë, një SPAK që arreston ndonjë shef kuzhine dhe një popull që ndjen sikur diçka po ndodh.
Por shpatat që vijnë nga printeri nuk e ndrydhin krimin e organizuar. Dhe Dumani, sado që përpiqet të ngrejë zërin, është i rrethuar nga një sistem që e gënjen, e përdor dhe pastaj e lë të ekspozohet vetëm.
Në këtë lojë, Edi Rama është më shumë mjeshtër i spektaklit sesa i drejtësisë. Ai zgjedh me kujdes armiqtë që do godasë, zakonisht ata që nuk i duhen më dhe zgjedh me kujdes miqtë që nuk do t’i prekë drejtësia.
Korrupsioni është bërë plastelinë politike, që gatuhet në çdo tryezë tenderi, çdo strategji zhvillimi, çdo dhurim pasurie publike në emër të ndonjë projekti të madh që shërben vetëm si mbulesë.
Sot, Edi Rama është përballë sfidës më të madhe: të administrojë një pushtet të pakontestuar formal, por të mbështetur mbi frikën e zbulimit të së vërtetës. Dhe kjo frikë e ka bërë sistemin të dridhet.
Në fytyrat e prokurorëve tanë, shfaqet jo vetëm lodhja, por dridhja e vërtetë e atij që ka përballë një sistem më të fortë se ligji, dhe më të heshtur se drejtësia.
Sulltani i Surrelit e di që pushteti nuk mbahet më me vota, por me kontroll mbi drejtësinë.
Por kur drejtësia ka në dorë vetëm një shpatë të printuar, atëherë e vetmja që pret është shpresa./Pamfleti
Lini një Përgjigje