TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë22 Maj 2025, 13:23

Operacioni “Ura”: ‘minjtë’ ranë në kurth, ‘skifteri’ fluturoi

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

Operacioni “Ura”: ‘minjtë’ ranë në kurth,
Operacioni 'Ura' /

Kapot e vërtetë nuk u arrestuan. Prokurorët heshtën, SPAK u ndje i vetëm dhe Rama e përdori rezultatin si çmim fushate. Por shërbimet e huaja janë ende këtu dhe skena sapo ka nisur të zbulojë aktorët elitarë…

Në listën me 52 urdhër-arreste, që SPAK dhe Antimafia italiane nxorën me bujë më 21 Maj, nuk janë përfshirë vetëm trafikantët e zakonshëm, por një sistem i tërë që e lidh krimin me politikën dhe shtetin. Por kur u desh t’i kapnin, kapot kishin fluturuar. E për t’i mbuluar mungesat, u arrestuan ca zëvendës, ca shoferë, ca “minj që ishin kthyer në tigra vetëm në Instagram”.

Operacioni “Ura” u quajt ndërkombëtar, por në realitet u rrëzua nga “operacioni Vota”, që më 11 maj garantoi mandatin e katërt të Sulltanit të Surrelit. Dhe në këtë fitore, të gjithë e dimë se krimi ka patur një rol aktiv, jo vetëm si financues, por si menaxher i terrenit zgjedhor. Edi Rama nuk fitoi mbi opozitën, por mbi heshtjen që i ble kriminalitetit vendin në kuti.

Kapot nuk janë në qeli. Janë në drejtim të paditur, në drejtim të mbrojtur, në drejtim të paracaktuar. Dhe drejtësia? Ishte aty, në konferencën për shtyp, ku prokurorët tanë dridheshin përpara italianëve, nuk shqiptonin dot emra, e fjalët u ngjiteshin në fyt si fatura në gjykatat administrative.
Jo nga turpi, se ajo ndjenjë ka ikur prej kohësh, por nga tensioni që vjen kur duhet ta paraqesësh të pavërtetën si fakt dhe dështimin si sukses.

Operacioni që duhej të ishte goditje kirurgjikale, u bë shkel e shko i kasapit të Surrelit, pa doreza sterile, sepse ato i ka marrë Ilir Beqja në ndonjë tender të sterilizimit. SPAK e vuri zemrën mbi tryezë, por tryeza ishte mbuluar me dosje që përfunduan në dollap. Dhe kur erdhi momenti të thuhej “kemi arrestuar krerët”, zogjtë kishin fluturuar.

Në Shqipëri, nuk është më çudi që emrat e kriminelëve i njeh më mirë publiku se prokuroria. Ata janë nëpër resorte, në podiume, në studio, në listat e votimit, në listat e investimeve strategjike. Janë emra që shfaqen si dallëndyshe, sa herë Edi Rama i siguron motin e ngrohtë politik.

Por ky operacion, megjithë mangësitë, nuk është për t’u injoruar. Sepse ishte presion i pastër ndërkombëtar, për të prishur urat e padukshme të mafies me shtetin, për të ndalur rrjedhjen e informacionit në korridore që më shumë se tunele janë puset ku fshihen kokat.

Shërbimet e huaja nuk hanë në grazhdin e Bablokut. Dhe kjo është arsyeja pse ndonjëherë, si tani, ndodhin operacione që shqetësojnë. Por sa kohë që informacioni rrjedh dhe vendimet merren me leje politike, të fortët do të nisin gjithmonë të parët, jo për në paraburgim, por për në dalje nga vendi.

Tani presim episodet e radhës. Sepse skena është gati për aktorët elitarë. Dosjet nuk kanë mbaruar. Dhe urat që nuk u prishën, mund të shkatërrohen vetëm kur çatia politike të mos i mbrojë më themelet e krimit./Pamfleti

operacioni ura minjtë ranë në kurth skifteri fluturoi

Lini një Përgjigje