TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë20 Qershor 2026, 13:04

Klodian Braho e Skënder Hita, po godasin grupet kriminale që nuk u prekën nga Altin Dumani e Ilir Proda

Shkruar nga Pamfleti
Klodian Braho e Skënder Hita, po godasin grupet kriminale që nuk u
Klodian Braho dhe Skender Hitaj /

Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë nxjerrë nga sirtarët dosjet e grupeve të fuqishme kriminale të lidhur me kupolën politike, qeveritare, policore, të drejtësisë e klanet oligarkike, të cilat i kishin mbajtur të bllokuara ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe ish-kryepolici Ilir Proda.

Fillimisht, Klodian Braho u paragjykua për mosveprim, por siç rezulton, periudha gjashtëmujore pas marrjes së detyrës ka qenë një fazë skanimi të grupeve të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Byroja Kombëtare e Hetimit kishte dorëzuar në SPAK që në vitin 2024 dosjen e plotë hetimore, me prova të shumta, për grupin e trafikut ndërkombëtar të drogës që drejtohej nga dy vëllezërit elbasanas Shpëtim dhe Isa Aliu, të cilët konsideroheshin furnitorë të grupeve të Eldi Dizdarit, Çopjave dhe Dritan Gjikës.

Përveç këtij grupi, Klodian Braho ka nisur edhe goditjen e rrjeteve të grabitjes dhe tjetërsimit të tokave në Sarandë, Himarë, Zvërnec, Karaburun, Vlorë, Lalëz, Kavajë, Tiranë dhe Velipojë, përmes kompanive që dyshohet se kanë pastruar miliona euro të korrupsionit dhe trafikut të drogës në sektorin e ndërtimit.

Vetëm dy javë pas marrjes së detyrës, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, nisi operacionet kundër grabitjes së tokave dhe ndërtimeve pa leje në Sarandë, Himarë dhe Vlorë, ku sipas të dhënave rezultonin të implikuara edhe segmente të strukturave drejtuese të policisë, si dhe rrjeti kriminal i “Call Center”-ave, dosjet e të cilëve, sipas akuzave, ishin mbajtur të bllokuara më parë.

Dosjet e dorëzuara nga agjencitë ligjzbatuese shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë, sipas këtij këndvështrimi, kanë qëndruar për një kohë të gjatë të pashqyrtuara, si pasojë e ndikimeve politike, oligarkike dhe lidhjeve me figura të botës së krimit.

Skënder Hita përjashtoi nga policia drejtuesin e antitrafiqeve, Ulian Shpataraku, ndërsa në fokus të hetimeve u vendosën edhe lidhjet e mundshme të segmenteve të policisë me grupet kriminale që operonin në Elbasan.

Po ashtu, janë ngritur dyshime dhe akuza publike për lidhje familjare dhe përfitime nga ndërtimet pa leje, pastrimi i parave dhe tjetërsimi i pronave, të cilat nuk janë hetuar me të njëjtin intensitet.

Sipas të dhënave të publikuara, gjatë tre viteve në detyrë, Altin Dumani nuk ka finalizuar 43 dosje të ardhura nga SHISH, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, agjencitë partnere të Bashkimit Europian dhe raportet hetimore të BKH-së.

Këto dosje lidhen me individë, grupe trafikantësh, institucione financiare dhe zyrtarë publikë të dyshuar për pastrim parash, investime në ndërtim dhe transferim kapitalesh jashtë Shqipërisë.

Ndërkohë, Skënder Hita ka ndërmarrë masa ndaj 13 rasteve të implikimit të oficerëve të policisë në veprimtari kriminale, si dhe ka ndërhyrë ndaj parcelave me kanabis, për të cilat, sipas autorit, ekzistonin informacione të mëparshme.

Tre raste që konsiderohen shembuj të paprekshmërisë së familjeve politike

^ Ndërprerja e hetimit ndaj Amant Josifit, me argumentin se çështja po hetohej nga autoritetet spanjolle, megjithëse ai rezultonte i përfshirë në rrjetin e “Call Center”-ave në Shqipëri.

^
Ndërprerja e hetimit ndaj Olsi Ramës për çështjen e laboratorit të drogës në Xibrakë, me argumentin se SPAK nuk kishte arritur ta identifikonte si të përfshirë, pavarësisht pretendimeve të ngritura më herët nga hetues gjermanë.

^
Ndërprerja e hetimit ndaj Shkëlzen Berishës për çështjen e Gërdecit, me argumentin se nuk kishte elementë të mjaftueshëm për vijimin e procedimit penal.

Këto raste, sipas kritikëve të SPAK-ut, përbëjnë shembuj të standardeve të dyfishta në trajtimin e figurave të lidhura me familjet kryesore politike të vendit./Pamfleti

 

klodian braho skender hitaj grupe kriminale dumani proda

1 Komente

  1. Y
    Yzedin Kashta

    Pse nuk hetohet per ate qe bllokoj keto dosje?!

    Lini një Përgjigje